Zbardhen detaje nga sherri që çoi në plagosjen e kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshit dhe shoferit të tij Gazmir Bullari nga Orges Xhelili. Sipas dosjes hetimore të zbardhur nga “TvKlan”, zbulohet se konflikti mes tyre ka nisur shumë shpejt nuk ka zgjatur më shumë se disa minuta dhe sipas autorit gjithçka ka nisur me fyerje nga të dyja palët. Vetë Xhelili ka treguar sesi nisi sherri dhe sesi e plagosi kryebashkiakun.
“Në këtë kohë që unë isha duke shkuar për tek vjehrri, tek shkallët e lokalit që ka në përdorim shtetasi L.V., ndesha përballë me Kryetarin e Bashkisë Divjakë, shtetasin Fredi Kokoneshi, i cili ishte së bashku me një shtetase të quajtur L.Gj. Aty unë sa u afrova i thashë “u tregove legen”. Aty Fredi me tha “kujt i thua ti kështu” dhe më kapi për një moment prej duarsh dhe më lëshoi,”- thuhet në dëshminë e Orges Xhelilit.
Ndërsa më pak jep më shumë detaje, duke shtuar se i kishte kërkuar Kokoneshit që të mos konfliktohej me të, pasi i kishin ndodhur shumë gjëra dhe ishte shumë “i fryrë” nga opinioni i të tjerëve kundrejt numrit një të bashkisë, por situata degradoi në përdorimin e thikës.
“Unë në këtë moment i thashë që unë të ofendova më parë dhe ti më ofendove tani dhe e lëmë këtë muhabet me kaq, pasi jam dhe pak i fryrë nga të tjerët. Në lidhje me këtë shprehjen “jam pak i fryrë”, nënkuptoj faktin se duke qenë se shtetasi Fredi Kokoneshi me ka hequr nga puna, marrja e 60 metër katrore tokë të vjehrrit, prishi dhe një dyqan ku shiste bukë më parë, si dhe kërcënimi i vëllait të tij quajtur L.Kokoneshi në kohën pas zgjedhjeve, si dhe nga fakti se Fredi Kokoneshi, donte ta hiqte nga puna si mjeke bashkëshorten time, kishin krijuar një ambient ku shoqëria dhe njerëzit në lagje më thonin “pse nuk reagon me gjithë këto që ai po të bën”, thuhet më tej në dëshmi.
Xhelili u arrestua disa orë pas ngjarjes teksa qëndroi i fshehur në një banesë të braktisur pas vendit të krimit, aty ku iu gjet dhe mjeti prerës me njolla të gjakut. Lidhur me ngjarjen e ndodhur disa javë më parë, Prokuroria e Lushnjes pretendon se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës së Kokoneshit, siç edhe deklarohet nga i akuzuari, ndërsa mbrojtja e autorit kërkon që çështja të gjykohet për konflikt të çastit, pa i “veshur” akuzën e sulmit për shkak të postit që Kokoneshi mban.

