Ish-Kryeministri Sali Berisha lajmëroi dje se Partia Demokratike po mbledh firmat e deputetëve për t’iu drejtuar Kuvendit me një kërkesë për të ngritur një komision të posaçëm hetimor për fluturimet e Kryeministrit Rama me avion privat.
Nga selia blu, Berisha u shpreh se pjesë e hetimit administrativ duhet të jetë edhe “Air Albania”, e cila prej tre vitesh, sipas tij, nuk dorëzon bilanc. “Duhet të shtohet ‘Air Albania’, kompania që thotë Rama se promovoi avionët e saj, u bë balerinë. Prandaj duhet të hetohet kjo kompani me të gjitha problematikat. Ka 3 vjet pa bilanc, sigurisht që nuk mund të dalë bilanci se del fluturimi 150 mijë euro dhe s’ka kush i paguan. Është një situatë e tmerrshme, prandaj dhe hetimi duhet të përfshijë ‘Air Albania’ se janë një dhe të pazgjidhur. Përflitej prej kohësh, por ai doli vetë e tha që avionët ia kanë dhënë për promocion, 137 herë avion për promocion.

Megjithatë, pozitive ishte që nuk tha janë të Saliut ato fluturime”, tha Berisha, ndërsa akuzoi Kryeministrin Rama se ka shpenzuar 22 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë vetëm për udhëtime luksi me avion në dispozicion. “Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet menjëherë sepse është i vetmi Kryeministër në Europë dhe botë që ka realizuar me charter 137 udhëtime. Nuk ka Kryeministër që ka realizuar as gjysmën e udhëtimeve të Edi Ramës me charter. 22 milionë euro udhëtime janë një abuzim i çmendur, i frenuar, janë më shumë se ka shpenzuar Byroja Politike e diktaturës në 20 vite. Një gjakpirje ndaj pensionistëve, mjekëve, pedagogëve. Për të gjitha këto, Edi Rama ka si shpjegim depersonalizimin e tij të plotë, kur u thotë shqiptarëve se ka shpenzuar 150 lekë për udhëtim, kur u thotë shqiptarëve se charteri ‘Ismaili’ i është dhënë për promovim të avionit, paçka se avioni në një udhëtim shpenzon 150 mijë euro minimumi. Qejfli i madh promocioni po del. Turpi i turpeve! Edi Rama për të mbuluar këtë skandal, faktin që ka përdorur çartera sa të gjithë kryeministrat e Europës së bashku, e detyron të flasë ashtu siç i kanë thënë sikur ka traktin tretës në gojë, si pjesë fundore”, shtoi Berisha.
AFERA E INCENERATORËVE
Po kështu, ai kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Rama në lidhje me aferën e inceneratorëve. “Jam sot këtu për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin përfundimtar nga çdo funksion të Edi Ramës, i cili me aktet e tij antiligjore, antikushtetuese, është sot simboli më i nxirë i pushtetarit abuziv, që nuk njeh normë, standard moral, ligjor apo kushtetues kur vjen puna për pasurimin e tij, për luksin e tij, për pushtetin e tij. Edi Rama është sot Kryeministri i vetëm në Europë dhe në botë, që krijon sipërmarrje personale me 420 milionë euro të grabitura taksapaguesve shqiptarë sipas kontratave që ka firmosur në kundërshtim me ligjet e vendit për djegësat. Sipërmarrja e Edi Ramës e djegësave Tiranë, Fier dhe Elbasan është sipërmarrja e vetme në Europë me imunitet të plotë”, tha Berisha.
Por veprimet arbitrare të Kryeministrit Rama, sipas Berishës, nuk përfundojnë këtu. Ish-Kryeministri u shpreh se qeveria Rama po dëmton prodhuesit vendas për të favorizuar ata serbë. “Edi Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë sepse ai është bërë zëdhënës i vëllezërve Kaliç të Vuçiçit. Në emër të interesave të tyre, ai po mbyll dhe po falimenton të gjithë industrinë e birrës të krijuar këto 30 vite në Shqipëri, duke lënë pa punë mijëra familje, të cilat jetojnë duke punuar në sektorë të kësaj industrie. Këtë e bën direkt vetëm për interesa në kuadër të Ballkanit të Hapur, për interesa të vëllezërve Kaliç, të sanksionuar. Edi Rama duhet të japë dorëheqje për megaaferën e tmerrshme të portit të Durrësit, që ka përfunduar përsëri në ortakëri me Aleksandër Vuçiç”, u shpreh Berisha.
LIGJI I PARASHKRIMIT
Duke e cilësuar si një minë me sahat në duart e pushtetarëve, Berisha prezantoi dje nismën ligjore për heqjen e parashkrimit të veprave penale për kryeministrat, ish kryeministrat, ministrat etj. “Ky ligj ka 2 nene. Neni i parë thotë: Nuk i nënshtrohen parashkrimit veprat penale dhe akuzat penale të korrupsionit dhe krimit të organizimit për kryeministrin, zv. kryeministrat, ministrat, kryetarët e kuvendit dhe ishfunksionarëve të sipërpërmendur.
Neni 2: Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ky ligj, mendoj unë, në kushtet e Shqipërisë kur vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërtetuar abuzimin nga kjo qeveri me të paktën me 8.2 miliardë euro, vjedhje, shpërdorime etj. Kur korrupsioni, vjedhja e zyrtarëve është bërë faktori, muri më i tmerrshëm për zhvillimin e këtij vendi dhe integrimin e tij. Kur është bërë gjeneratori kryesor i varfërisë së shqiptarëve, kur është bërë mater matrix i të gjitha problemeve që rrënuan në Shqipëri shtetin ligjor dhe e kanë degraduar atë nën nivelin e diktaturën komuniste të Vietnamit. Sistemet komuniste janë sistemi për definicion sisteme të korruptuara. Por qeverisja e Edi Ramës është edhe më e korruptuar, 4 shkallë më poshtë se diktatura komuniste e Vietnamit”, tha Sali Berisha para deputetëve të grupit të tij, të cilët dje u shtuan edhe me një pasi Lindita Metaliaj kaloi në krahun e tij.
Nënkryetari i PD: Kërkesat e pedagogëve, për të mbrojtur dinjitetin e tyre
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, akuzoi dje qeverinë se është e korruptuar dhe se është dorëzuar përballë krimit. Sipas tij, dy ditë më parë, Policia tentoi të mbajë të fshehtë edhe një vrasje në qendrën e banimit “Kodra e Diellit”. “Edi Rama ka fluturuar 137 herë duke djegur në ajër 22 milionë euro të shqiptarëve. Grupi parlamentar do të dorëzojë menjëherë kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor. Vrasja shtetërore e Lear Kurtit nga Policia e Ramës në vazhdën e vrasjeve të tjera si dhe përpjekja e Policisë për të fshehur ngjarjen dëshmojnë saktë se kush është kundër qytetarit, jetës së tij, sigurisë së tij dhe mirëqenies së tij.
Dhe se kush është pranë tij dhe interesit të tij. Ndërkohë, përsëri mbrëmë, krimi ka treguar fuqinë e tij përballë një pushteti të gjunjëzuar dhe atrofizuar dhe një qeverisje të korruptuar dhe të inkriminuar”, tha Boçi në takimin me deputetët. Sakaq, akuza ndaj Kryeministrit hodhi edhe në lidhje me qëndrimin e mbajtur ndaj pedagogëve. “Në vend që të zgjedhë dialogun me pedagogët, Rama ka vazhduar me kërcënimet, shantazhimet e tij dhe PD vazhdon të jetë në mbështetje të protestës, grevës së pedagogëve dhe do qëndrojnë pranë tyre deri në finalizimin e kërkesave të tyre që nuk janë thjesht financiare, por janë për dinjitet dhe për një universitet publik me kërkim shkencor dhe punë të mirë akademike. Ndërsa shqiptarëve Rama i kërkon të ngrohen në diell për të kursyer energjinë, u tund atyre në formë kërcënimi tmerret e krizës dhe të luftës. I lë në det të hapur, në fatin e gomoneve dhe vetë nuk ndalet në luksin e shfrenuar”, tha Boçi.
Tabaku: Po falen paratë e pista e po gjobiten bizneset
Komisioni i Ekonomisë diskutoi ndryshimet e paketës fiskale, ku në nenin 15 të njërit prej ligjeve parashikohet heqja e kompetencave të zyrave tatimore, për të zbatuar ligjin për të zbatuar procedurat tatimore. “Janë bërë disa ndryshime, të cilat lidhen, është rritur koncepti i gjobës, deri në 10-fishim, për të ulur ekonominë informale, që të ulet përdorimi i cash. Nëse qëllimi është të ulet ulja e përdorimit të cash dhe të rritet në banka. Nuk prek pagesat në ndërtim.
Elementi tjetër është rritja e gjobave, deri në 10 herë”, u shpreh Tabaku. Sipas saj, “niveli më i lartë i gjobave në 30 vite. Parimi i gabuar. Përjashtimi që kthehet në rregull, është shumë i dëmshëm. Evazorë fiskale dhe janë paguar fonde publike. Tani po 10-fishojmë tatimet për bizneset që përsërisin gabimet. Tani për bizneset që janë tatimpagues vendosen gjoba 10 herë më të larta, ndërkohë që amnistojmë evazorët e 30 viteve. Sa e drejtë është në një kohë që diskutoni amnistinë fiskale, të gjobisni më shumë tatimpaguesit e rregullt?”.

