Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i është përgjigjur Sali Berishës në Kuvend, pasi ky i fundit nxorri disa sondazhe dhe tha se opozita do marrë pushtetin. Gjatë seancës së sotme, Manja debatoi edhe me Flamur Nokën duke e akuzuar se deputetët opozitarë bënin presion nga Kuvendi për të marrë tendera dhe se kishin kompani “offshore”. Premtoi se do i tregonte të gjitha, por kur të afrohej fushata elektorale.
Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho u përshi në debat me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, duke i kërkuar që të fliste më emra, pasi ishte ministër dhe informimin e publikut e ka për detyrë. Manja iu kundërpërgjigj, duke i thënë Spahos se nuk është i duhuri për të gjykuar burrërinë e tij, ndërsa i kërkoi të votonte ligjin për Autoritetin e Dosjeve, veprim të cilin e cilësoi si “shërbimin e fundit të tij ndaj kombit”. Spaho iu drejtua Manjës duke i thënë se nesër do të shkojë të tërheqë certifikatën nga Autoriteti i Dosjeve, ndërsa e pyeti nëse do të hiqte dorë nga mandati i deputetit nëse do ta sillte dosjen e tij në Kuvend.
REPLIKAT NË KUVEND:
Flamur Noka: Një ministri është në karrige për t’i shërbyer qytetarëve dhe jo për ti gënjyer. Por Elisa dhe Skënderbeu jetojnë në botën virtuale të çudirave, shqiptarët jetojnë në botën reale. Ndaj e përsëris a e di Elisa se sa është ndihma sociale? A e di Elisa që të gjithë prindërit e shkollës, “Demokracia”, “Ibrahim Basha”, “Sulejman Elezi” , paguajnë 30 mijë lekë në muaj privatisht për të çuar dhe marrë nxënësit në shkollë. Këtë e kanë shpërblim nga Elisa dhe kryetari i emëruar në Kamëz. Këto janë mrekullitë që ka bërë qeveria e Elisës dhe Skënderbeut. Vijnë këtu flasin dokrra, mjafton të bëjnë show, por realiteti nuk ka asnjë lidhje me këto
Ulsi Manja: Pse nuk e la rrogën e deputetit për atë familje në Bubq? Zona nga vjen Saliu, Malësia e Kukësit, njihet. Të bënte gjest human aty. Nuk i ngre dot më Saliu shqiptarët në protesta. Sepse shqiptarët kanë sy e veshë, shohin edhe luksin e familjes së Saliut. Ne të dy kemi bërë betejë në Paskuqan dhe Kamëz. Ne morëm 74 mandate dhe ju dolët copa-copa. Pse s’dilni dhe t’u thoni kush tjetërsoi tokën në liqenin e Paskuqanit? Për ju Flamur, po të kishte mundësi të fusnit tokën në thes, për shpirt me thes do e kishit marrë. Ngrihu herët Flamur, se ngrihesh vonë dhe nuk i sheh shkollat. Presidenti i ka pritur të gjithë dhe shumë shpejt do shkojmë në votime. Prisni votën. Por keni filluar që sot me një muzikë për patronazhistët se e ndjeni rezultatin e pranverës. Mos i besoni sondazheve të Saliut dhe këtu do jemi dhe do thoni na i vodhët. Ku jeni ju more? Ça njerëzish jeni ju more? Ju akoma se keni ndarë mendjen brenda vetes me kë dhe pse jeni? Po ne me kë jemi, me UFO-t? Ju vini këtu bëni presion se në mendje keni një tender për të marrë. Dakord? Harrojeni. Mos i besoni sondazhit që nxjerr Saliu se këtu do të jemi dhe do të na thoni na morët zgjedhjet. Ne detyrën kemi bërë, por mrekullinë, të dytët pas Gjermanisë e kishit ju, këtë e keni thënë ju. Le të afrohet edhe pak fushata dhe do ti themi të gjitha.
Flamur Noka: Më vjen keq që jeni zëdhënësi i Elisës. Nuk ka asnjë banor që nuk largohet nga toka dhe bagëtia se nuk u ka thënë kush asnjë zgjidhje. I keni trajtuar si kafshë dhe jo si njerëz. Hajde shkojmë bashkë tani. Sapo kam folur me një qytetar në Ishëm që fle në plasmas. Mashtruat në fushatë, rindërtimi. Sa doli Elisa atje ku isha unë? Vodhët sa mundët. Nuk mbulohet vjedhja juaj me rrogën e Sali Berishës dhe Flamur Nokës. Nuk jemi për cinizëm atje. Debati real është ai rreth të vërtetës, jo ju në botën e çudirave dhe shqiptarët në botë tjetër.
Edmond Spaho: Tregohu kurajon e Spiropalit që debaton me Berishën kur është në sallë. Jeni ministër i Drejtësisë e keni për detyrë të jepni emra për tendera e offshore. Nxirri. Po nuk i ke këtej, por andej. Nxirri. E fundit mos u mburr me zgjedhjet. Ti një, tërmeti dy, ai që është në burg tre, jeni regjistruar me zë se ç’i bëni zgjedhjeve. Kanë shkruar të huajit se ç’i bëni zgjedhjeve.
Ulsi Manja: Zoti Spaho nuk jeni personi i duhur për të gjykuar burrninë time. Voto ligjin e dosjeve dhe ky është shërbimi i fundit që i bëni vendit.
Edmond Spaho: Një zotëri i njohur ka ndarë burrat në tri kategori, burra, gjysmë burra, burrëcë dhe lehësa, një ndër ta është edhe Ulsi. Ulsi e bën shumë mirë këtë punë. Le të flasë, e bëri insinuatën që të rrëshkasë e të mos shkojë në gjyq. Aq e ka burrërinë. Unë e kam votuar ligjin që ta dish ti Ulsi për Dosjet edhe në vitin 2008, që ju e hodhët poshtë në Kushtetuese. Atë të votuarën e ligjit tregoja ndonjë tjetri jo mua. Unë kam mbajtur pozicione të ndryshme dhe besoj kam kaluar shkallët e verifikimit. Nuk ka çfarë më nxjerr as ti, as Rama dhe askush. Prandaj them lehës. Përdorni ligjin se keni synim të hidhni baltë mbi njerëzit. Unë të bëj thirrje të më kërkosh falje publike. Ose artikuloje siç duhet ose më kërko falje. Po të jesh burrë vëmë një bast. Nesër do shkoj në Autoritet. Ulsi meqë hiqesh si burrë do e bëjmë kështu. Do kërkoj certifikatën, kur ta sjell këtu a do heqësh dorë nga deputetllëku. A do heqësh dorë meqë qenke kaq i sigurtë?

