Nuk ka rrugë tjetër veç grevës së urisë. Pasi protestuan për dy javë të tëra me radhë, në kushtet e shpërfilljes totale nga ana e qeverisë, pedagogë të universiteteve në Tiranë e rrethe kanë vendosur që të ngujohen.
Ata i kanë lënë afat qeverisë për një përgjigje deri nesër në orën 16:00. Në të kundërt, do të futen në grevë urie pa afat. Deri tani, qeveria ka refuzuar plotësimin e kërkesave duke vendosur rritje me vetëm 15%, 8% të së cilës ua ngarkon vetë universiteteve. Deri tani vetëm dy universitete, ai i Tiranës dhe i Mjekësisë, kanë zbatuar urdhrin e qeverisë, ndërsa të tjerat jo. Sidoqoftë, pedagogët e kanë refuzuar këtë 15 për qindësh, pasi janë të mendimit që tarifat e studentëve, i vetmi burim i universiteteve duhet të shkojë në dobi të këtyre të fundit dhe jo të përdoret për paga.

DEKLARATA
Nga podiumi ku ka folur për dy javë radhazi, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, Sandër Kovaçi, deklaroi vendimin e fundit të SPASH. Edhe dy ditë afat qeverisë t’iu përgjigjet kërkesave të tyre ose të mërkurën grevë urie. “Në këtë betejë e kemi filluar prej 3 vitesh, por e kemi intensifikuar 2 muajt e fundit, kur dërguam peticionin, shoqëruar me 6 javë protesta, 2 javë bojkot të procesit mësimor për një arsim të lartë publik cilësor. Qeveria ka treguar se nuk ka veshë për të dëgjuar problematikat tona, apo sy për të parë gjendjen e universiteteve tona.
Ofron gjithmonë zgjidhje makijazh, pa e shoqëruar me vendime konkrete. Së fundmi është vënë me initimidim dhe presione që të shuhet kauza jonë e drejtë. Është propozuar që të kalohet në formën e grevës së urisë dhe që në këtë fazë mund të ndërgjegjësojë opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar që të dëgjohet kauza jonë. Pasi e pritëm tre vite, i lamë dy muaj kohë për të reaguar, i lëmë edhe dy ditë kohë për t’u dhënë zgjidhje kërkesave tona. Më datë 2 tetor të gjithë jemi këtu, t’i lëmë kohë qeverisë deri të mërkurën për të gjetur zgjidhje.
Në të kundërt, të gjithë të mërkurën të jemi këtu në orën 16:00 për solidarizim ndaj të gjithë atyre që kanë marrë përsipër këtë akt sakrifice”, tha Kovaçi teksa shton se lëvizja universitare nuk është e mbështetur nga asnjë parti politike e as organizim të çfarëdolloji. Nga 17 tetori, pedagogë të shumtë në Universitetet e Tiranës, Politeknikut, Bujqësorit e shumë të tjerë në rrethe nuk kanë shkelur në auditorë duke bojkotuar mësimin në shenjë proteste për zgjidhjen e kërkesave të tyre drejtuar qeverisë. Në peticionin e firmosur nga stafi akademik i Fakultetit të Shkencave kërkohet rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës akademik e administrativ. Në peticion propozohet të arrihet niveli i pagave të universiteteve publike të Kosovës brenda 2 viteve, me rritje 30 % në tetor 2022 dhe 20 % në tetor 2023, rritjen e financimit për kërkimin shkencor që të jetë të paktën 0.3 % e GDP, më 2023. Qeveria dhe Ministria e Arsimit është shprehur e gatshme të nisë punën për realizimin e çdo kërkese, përveç atyre me karakter financiar.
Universiteti i Tiranës miraton shtesën mbi pagë për pedagogët
Pas Universitetit të Mjekësisë, edhe ai i Tiranës i është bindur urdhrit të qeverisë për të rritur pagat e stafit pedagogjik me 8%. Senati Akademik i UT është mbledhur një ditë më parë për të miratuar propozimin e administratorit për strukturën e re të pagave, pa përcaktuar qartë në vendim masën.
Është zyra e shtypit ajo që është kujdesur që materiali t’u shpërndahet mediave, pa tabelën shoqëruese, në të cilën përcaktohet trajtimi me shtesë mbi pagë për personelin akademik të institucioneve të arsimit të lartë. Nuk specifikohet nëse nga kjo rritje përfiton personeli ndihmës akademik dhe stafit mbështetës në universitete, por kjo ka qenë një ndër ankesat e radhës të artikuluara gjatë protestave të javës që shkoi. Burimi i financimit për të përballuar këtë vendim do të përballohet nga të ardhurat që realizon Universiteti i Tiranës, prej shërbimeve të tjera. Edhe kjo një pikëpyetje e madhe. Javën e kaluar Universiteti i Mjekësisë ishte i pari që ndërmori vendimin për rritjen e pagave me 8%, duke e çuar në 15% për pedagogët.
Në vendimin e Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë është miratuar gjithashtu edhe një shtesë në buxhetin e vitit 2022, në vlerën 400 000 (katërqind mijë) lekë, për paga dhe 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, me burim financimi nga të ardhurat e veta, për Fakultetin e Mjekësisë Dentare. Për zbatimin e këtij vendimi që ka hyrë në fuqi sapo u vulos ngarkohet Administratori i Universitetit të Mjekësisë Tiranë dhe Drejtoria e Shërbimeve Juridike dhe Burimeve Njerëzore.
KERKESAT E PEDAGOGEVE
Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
Rritja e financimit për kërkimin shkencor
Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmi shëndeti në punë’
Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
Rivlerësimi i orës mësimore, pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit.
Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.
