Në njoftimin e KED, thuhet se Gent Ibrahimi është përzgjedhur i pari për anëtar i Kushtetueses.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka bërë vlerësimin e tre kandidaturave për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese. Në njoftimin e KED, thuhet se Gent Ibrahimi është përzgjedhur i pari për anëtar i Kushtetueses me 88.38 pikë. Ndërsa në vend të dytë është lënë emri i Arta Vorpsit me 88.22 pikë dhe në vend të tretë Arta Marku me 82.66 pikë për anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftimi:
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në vijim të procedurave të vlerësimit të kandidatëve të lejuar për kandidim, të cilët kanë kandiduar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, në zbatim të dispozitave ligjore, pas shqyrtimit të gjithanshëm të dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga vetë Këshilli, pas komunikimit me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturës, bën publike rezultatin e pikëzimit për secilin kandidat si më poshtë:
Gent Ibrahimi 88.38 Pikë
Arta Vorpsi 88.22 Pikë
Arta Marku 82.66 Pikë
Në zbatim të nenit 239 të ligjit nr. 115/2016 dhe Vendimit nr. 5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, tashmë KED do të miratojë listën përfundimtare dhe Raportin e arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për secilin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese
Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve nga mbledhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organit të emërtesës, Presidentit të Republikës, do ti dërgohet lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe raportet e arsyetuar të Këshillit, ku përmbahet analiza tërësore lidhur me plotësimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve ligjore për secilin kandidat, si edhe për procedurën e ndjekur për vlerësimin dhe renditjen e tyre.
Gjykata Kushtetuese është tashmë me 8 anëtarë. Ilir Toska ishte i fundit që u zgjodh, i cili do të zëvendësojë në detyrë gjyqtarin Gani Dizdari. Gjykata e Lartë propozon dhe ka të drejtë emërimi për 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 që ka gjithsej ajo. Tre përzgjidhen nga presidenti Bajram Begaj, ndërsa 3 të tjerët nga Parlamenti.

