Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve është shfuqëzuar ditën e sotme. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka deklaruar se vendimi për ngritjen e këtij bordi u mor për shkak të situatës së veçantë në këtë treg. Por sipas Ibrahimajt, situata e veçantë e tregut ka përfunduar.
“Me fillimin e krizës së çmimeve qeveria shqiptare ngriti një bord të transparencës për kontrollin e çmimeve të hidrokarbureve. Që prej asaj kohe çmimet kanë pasur luhatje të mëdha. Ne përcaktuam nëpërmjet një akti normativ disa marzhe fitime që nuk mund të ndryshonin me qëllim limitimin sa më shumë të ishte e mundur të spekulimeve me çmimet e hidrokarbureve. Gjatë tremujorit të parë kemi ndjekur zhvillimet e tregut dhe themi që tregjet janë stabilizuar në çmimet që ishin përpara krizës në 2021. Bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e la në fuqi, ne vendosëm, për shfuqizimin e bordit të hidrokarbureve dhe situatës së veçantë në këtë treg”, tha Ibrahimaj.
Bordi i Transparencës u ngrit në 12 mars të këtij viti me qëllimin për të shmangur abuzimet nga ana e kompanive që tregtojnë karburante. Teksa opozita e ka sulmuar si Bord klientelist, mazhoranca e ka cilësuar si mekanizmin e vetëm për të mbajtur në kontroll çmimet.

