Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur për vendimin që mori sot për mos regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor. Në fjalën e tij gjatë emisionit “Opinion”, Celibashi theksoi se të drejtën për të paraqitur kërkesa në KQZ, ligjërisht e ka Lulzim Basha.
PJESË NGA BISEDA:
Ilirjan Celibashi: Ka vetëm një Parti Demokratike. Përpara KQZ-së, të drejtën për të paraqitur kërkesa, përfshirë dhe kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor e ka zoti Lulzim Basha.
Blendi Fevziu: Por, në Mars të vitit 2021 ai ka dhënë dorëheqjen, ai nuk do të jetë më kryetar, ju doni ta mbani me zor…
Ilirjan Celibashi: Kjo bazohet në dokumente, i vetmi dokument është ai i lëshuar nga Regjistri i Partive Politike, tej këtij dokumenti çdo shprehje tjetër e ligjërimeve nuk është e ligjshme, duhet gjithmonë aspekti dokumentar i faktit. Pala e interesuar në procesin e regjistrimit e përfaqësuar nga zoti Indrit Sefa, ka paraqitur vërtetimin e Gjykatës së Tiranës ku kryetar i PD është Basha dhe ka një autorizim nga Basha, për të kryer veprimet e nevojshme./tvklan.al

