Personi që qëlloi me grusht Sali Berishën, Gert Shehu ka kërkuar që të mos ndiqen penalisht truprojat e kreut të Partisë Demokratike që e dhunuan pas sulmit që i bëri kryedemokratit. Ata rrezikonin të merreshin nën hetim për plagosje të lehtë me dashje ose dëmtime të tjera me dashje, pasi 31-vjeçari ende ndodhet në spitalin e Traumës për shkak të goditjeve të marra. Por Shehu duket se ka vendosur që të mos i kallëzojë penalisht.
Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Po ashtu, edhe masa e sigurisë “arrest me burg” iu komunikua teksa ndodhej në shtratin e spitalit.

