Eduart Dushku një personazh i njohur i zonës së Saukut është arrestuar nga policia mbrëmjen e së martës datë 5 Shtator.

Arrestimi i tij u krye pasi hetimi provoi për përfshirjen e tij si autor kryesor i dy ngjarjeve të ndodhura gjatë vitit 2014 dhe 2015, për vendosje eksplozivi në një lokal dhe djegien e një makine.

Arrestimi i tij kaloi pa ndonjë bujë të madhe. 41 vjeçari nga Mjull- Bathore e Tiranës ka kryer dhe një vrasje në gusht të vitit 2011. Ngjarje për të cilën u arrestua 7 muaj më vonë më 29 Mars të vitit 2012. Pasi bëri dy vite burg për vrasje ky shtetas u la i lirë nga Gjykata.

I njohur dhe si pronar i një prej linjave të autobuzave urban që lidhin Tiranën me Lagjen e “Collakëve” pranë Farkës, Dushku iu rikthye sërish aktivitetit kriminal.

Sipas Policisë me 12 Dhjetor të vitit 2014 në mbrëmje në “Sauk i Vjetër” ka djegur me lëndë benzinë automjeti tip “BMË”, në pronësi të 43 vjeçarit Arjan Boçi. Të njëjtit person tre muaj më vonë Eduard Dushku i vendosi 200 gram tritol në kollonën e lokalit shërbim “Fast food” rreth orës 03.00, të datës 25 Shkurt 2015 në vendin e quajtur “Karburanti i Vjetër”, në Sauk. Shpërthimi ndodhi në momentin kur vetë pronari ishte pranë fast-foodit të tij.

Në pamjet filmike të kamerave të sigurisë, Dushku është fiksuar i maskuar me shall dhe kapuç teksa vendoste eksplozivin dhe largohej më pas drejt rrugicës së godinës së Komunës Farkë.

Prokuroria e akuzon 41 vjeçarin për veprat penale ” Shkatërrim prone me zjarr ” dhe ” Shkatërrim prone me eksploziv”, për të cilat mund të dënohet deri në 5 vite burg.

22 gusht 2011 -Vendi ku u vra Avdulla Vrapi

Vrasja e Avdulla Vrapi me 22 Gusht 2011 për gërvishtjen e makinës

Pas një zënke për gërvishtjen e një automjeti nga autobuzi i linjës në pronësi të Eduart Dushkut , ky i fundit ka ekzekutuar 49 vjeçarin Avdulla Vrapi i cili mbrojti me trup djalin e tij.

Sherri nisi fillimisht mes Albert Vrapit, djalit të viktimës, dhe Besnik Tresës, shofer autobusi, ku pronar i mjetit ishte Eduard Dushku. Gjatë një zënke me Albert Vrapin, në tentativë për t’u mbrojtur, Dushku ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të tij.

Për pasojë gjeti vdekjen Abdulla Vrapi, i cili kur ka parë që është drejtuar arma, i ka dalë para të birit duke i pritur vetë plumbat. Miku i të dyshuarit Besnik Tresa ndodhej pranë vendit të ngjarjes e menjëherë pasi u krye krimi, e ndihmoi Dushkun duke u larguar nga vendngjarja, pranë Sanatoriumit në Tiranë dhe duke e strehuar atë në një hotel në Rrugën e Elbasanit.

Tresa u arrestua menjëherë pas ngjarjes, bashkë me armën e krimit, të cilën ia kishte marrë autorit. Ndërsa autori, arriti të arratisej duke u shpallur në kërkim nga policia, megjithëse u arrit të provohej autorësia e tij.

Ngjarja për të cilën akuzohet Eduard Dushku ka ndodhur më 22 gusht 2011, kur Besnik Tresa, shofer i linjës Sauk-Shkolla e Baletit, gjatë kohës që po lëvizte në drejtim të një kompleksi, në një pjesë të ngushtë të rrugës është fërkuar me pasqyrën e mjetit tip “Benz 240”, e drejtuar nga Albert Vrapi. Tresa, pas incidentit, ka lajmëruar pronarin Dushku, duke e vënë në dijeni.

A do ta liroi sërish Gjykata e Tiranës me një dënim minimal pavarësisht dokumentimit të akteve kriminale , kjo mbetet për tu parë!

/sosnews

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version