Vijojnë tensionet në Veri të Kosovës. Të dielën në veriun e Kosovës u mbajtën protesta të organizuara nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik serb, një ditë pas vendimit të kësaj liste për t’u tërhequr nga institucionet e vendit.
Vendimi pasoi mospajtimet rreth vendimit të autoriteteve të Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Përfaqësuesit politikë të serbëve akuzuan qeverinë e Kosovës për moszbatim i marrëveshjeve të Brukselit. Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç tha se serbët në Kosovë kanë bërë përpjekje vazhdimisht për të zgjatur dorën e pajtimit, por nuk kanë gjetur dakortësi nga pala tjetër.

Kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zubin Potok dhe Zveçanit, dhanë dorëheqje nga postet e tyre së bashku me këshilltarët komunal nga radhët e Listës Serbe dhe pjesëtarët serb të policisë së Kosovës në veriun e vendit dorëzuan të dielën në mënyrë të organizuar letrat e dorëheqjes.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se veprimet e fundit në veriun e vendit janë përpjekje të Serbisë për të destabilizuar Kosovën. Kurti tha se Serbia nuk ka dëshirë që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog dhe ka zgjedhur rrugën e destabilizimit. Ai tha se është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për gjendjen aktuale.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka mohuar se largimi i Listës Serbe nga institucionet në veri të Kosovës është bërë me urdhër të Beogradit zyrtar. Në një deklaratë për mediat vendase, Vuçiç tha se serbët kanë dashur prej kohësh të largohen nga institucionet, por kanë qëndruar deri tani për shkak se ai u ka thënë që ta bëjnë atë gjë.
Vendimi i serbëve nxiti reagime të zyrtarëve ndërkombëtarë që bënë thirrje për ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në veriun e Kosovës. Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka mundësi për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Reagime ka pasur edhe nga Shqipëria. Ish-ministri për Diasporën, Pandeli Majoo paralajmëroi dhe shpoërthimin e një lufte, nëse do të shënohet ndonjë incident.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç ka njoftuar se ka dy kushte për kryeministrin Albin Kurti në mënyrë që të kthehen në institucionet e Kosovës, e para që ai të tërheq vendimin për targat dhe e dyta që të nisi formimin Asociacionit në përputhje me marrëveshjen e parë të nënshkruar në Bruksel.
Nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin, në tri faza, për riregjistrimin e makinave, që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm, por kjo kundërshtohet nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës të cilët nuk pajtohen me vendimin e qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, RKS. Kosova ka planifikuar masa me disa faza. E para është ‘tërheqje vëmendjeje’, e dyta gjobë dhe e treat ndalimi i të gjitha targave provuese.

