U deshën plotë 16 orë kërkime që të gjendeshin trupat e pajetë të babë e bir në Shkodër, të cilët i mori rrjedha e ujit bashkë me makinën një ditë më parë. Njoftimi i policisë ka konfirmuar edhe dy viktimat e para të motit të keq në Shqipëri, për këtë sezon dimri. Babë e bir janë gjetur ë gjatësinë e përroit, në Bogë. Ata u zhdukën mesditën e kaluar. Pjetër Rushaj, 50 vjeç po udhëtonte bashkë me djalin e vajzën me makinë në momentin që uji i përroit i mori përpara. Vajza arriti të dilte nga mjeti dhe u ndihmua nga një banor i zonës, ndërsa 50-vjeçari me djalin nuk ia dolën dot. Kërkimet nisën që dje, por u ndërprenë për shkak të errësirës e motit të keq, për të rinisur këtë mëngjes.
Njoftimi: Në vijim të informacion të dhënë mesditën e djeshme se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza), ju bëjmë me dije se: Pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm, nga polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në gjatësinë e përroit, në Bogë, u bë e mundur gjetja e dy trupave (babë e bir).

