Ndalimi apo lejimi i përdorimit të xhamave të zinj në automjetet e transportit është bërë shpesh objekt i diskutimit por dhe abuzimit si nga qytetarët po ashtu dhe nga institucionet ligjzbatuese.
Me qëllim normimin e saktë për xhamat e zinj, Blendi Gonxhe drejtor i Transportit rrugor i ka kërkuar kryeministrit shfuqizimin e VKM-së 763,datë 06.12.2005 pasi ka rezultuar e pasukseshme, e paqartë, duke u bërë shkak keqkuptimesh e abuzimesh për mënyrën e kontrollit, përcaktimit të kundravajtjes si dhe vendosjen e masave administrative nga organet e policisë. Gonxhe ka paraqitur një variant totalisht të ndryshuar i hartuar nga 3 ekspertë të transportit rrugor.
Në dokumentat e siguruara nga sosnews.al, DPSHTRR, ka argumentuar se projek akti i ri do të ketë këto përparësi dhe efekte të pritshme.
Ndryshimi i dispozitës eksituese të kësaj VKM-je konsiderohet domosdoshmëri për arsyer e poshtëshënuara:
- Evazioni në legjislacion krijon shkak për abuzim si nga instancat ligjzbatuese ashtu edhe nga vetë qytetarët.
- Përdorimi i xhamave të errësuar është e drejtë e çdo qytetari përderisa tregu ofron autovetura të prodhuara me xhama të errësuara në funksion të mbrojtjes së privatësisë personale, familjare etj, në proporcion me kërkesat ligjore për sigurinë publike dhe sigurinë në qarkullim. Tregu gjithashtu ofron aksesorë të ndryshëm post shitje autoveture të re si perde apo shtresa errësuese për të njëjtin funksion, në konformitet me sigurinë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
- Referuar pozitës gjeografike të Republikës së Shqipërisë , që karakterizohet nga klima mesdhetare, e sunduar nga ditët me diell, qarkullimi dhe regjistrimi i autoveturave me xhama të errësuar, të përcaktuar në masën e lejuar, do të garantojë , mbrojtjen e shëndetit nga rrezet Ultra Violet dhe komoditet në udhëtim duke ulur efektet negative nga rrezet dhe nxehtësia e diellit si dhe do të ulë konsumimin motorrik dhe paisjet e sistemeve të ajrit të kondicionuar, subjekt shakrkimesh ndotëse në ambjent.

Institucionet zbatuese të VKM së re që pritet të miratohet duhet të marrin masa për sigurimin e pajisjeve elektronike të cilat do të bëjnë matjen e masës së errësimit në xhamat e autoveturave.
Nesër Sosnews.al do të publikojë të plotë projekt aktin për vkm e re që do lejojë në masë të kufizuar përdorimin e xhamave të errësuar.
VKM e vjetër nr. 763 datë 06.12.2005 kishte këtë përmbatje “Ndalohet, vendosja e perdeve , errësimi i xhamave të autoveturave, si dhe përdorimi i xhamave të errëta, të fabrikuara, të pahomologuara nga prodhuesi”./sosnews.al

