Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë prezantuan të mërkurën në mjediset e Kuvendit studimin “Vota ime vlen” mbi pjesmarrjen në zgjedhje të grave, pakicave etnike dhe të rinjve.
Studimi kërkimor përfshin anëtarë të grupeve me përparësi, që sipas një anketimi të mëparshëm, nuk besojnë se vota e tyre vlen apo se kanë një rol aktiv në politikë.
Ambasadori britanik, Alastar King-Smith tha se raporti tregon se mbetet një sfidë përfshirja e grave, pakicave etnike dhe të rinjve në procesin zgjedhor në Shqipëri.
Ndërsa përfaqësuesja e KQZ-së, Iliriana Nano tha se ky institucion ka nisur punën me ndërgjegjësimin e këtyre grupimeve për pjesëmarrje në zgjedhje dhe për njohjen e procesit zgjedhor.
Anketimi i fundit i kryer në mars 2021 tregon se 76% e votuesve romë, 46% e votuesve maqedonas dhe 44% e votuesve grekë nuk kanë informacion të mjaftueshëm për kandidatët e tyre vendorë. Gjithashtu, 44% e grave nuk besojnë se vota e tyre vlen apo do të kishte rëndësi në rezultatin e zgjedhjeve.
“Pothuajse 1 në 5 gra thanë se nuk kanë asnjë rol në politikë dhe ia u lënë politikën anëtarëve të tjerë të familjes,” thuhet në anketim. Votimi familjar ose ndikimi i burrit mbi votën e gruas po ashtu shfaqet si problem. “Familja ime ndikon në vendimin tim për të votuar” rezultoi me një përgjigje pozitive në 25% në zonat rurale dhe 9% brenda Tiranës.
Një nga problemet e evidentuara nga studimi kërkimor janë sulmet partiake dhe personale kundrejt kandidatëve, të cilat e dominojnë procesin në raport me diskutimin e politikave apo se si partitë mund ta përmirësojnë jetesën e njerëzve të zakonshëm.
“Blerja e votës konsiderohet si praktikë e zakonshme,” thuhet në raport, një fenomen që prek më së shumti komunitetin rom.
“Disa pjesëmarrës shpjeguan se u ishin ofruar para nga kandidatët, por kishin refuzuar t’i pranonin. Ka të ngjarë që pjesëmarrësit të mos jenë ndjerë rehat të rrëfenin se janë përfshirë personalisht në blerjen e votave, por të gjitha grupet binin dakord se praktika është e zakonshme në radhët e komunitetit më të gjerë rom,” shton studimi.
Raporti del me disa rekomandime për rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në demokraci dhe angazhimi konstruktiv në çështjet politike, ku parashikohet dhe krijimi i një kurrikule shkollore për këtë qëllim dhe fushata të dedikuara nga KQZ gjatë procesit zgjedhor.
Po ashtu i rekomandohet KQZ-së që të përfshijë në punën e saj edhe gjithëpërfshirjen e romëve dhe pakicave etnike.

