Qeveria e re italiane e udhëhequr nga e djathta ekstreme e Giorgia Melonit ka fituar të parin nga dy votëbesimet e nevojshme në parlament, me një numër domethënës votash.
Votimi në Dhomën e Ulët të deputetëve të martën në mbrëmje ishte 235 pro qeverisë së koalicionit të saj dhe 154 kundër. Koalicionit i duheshin të paktën 195 vota për një shumicë.
Të mërkurën, qeveria e re do të përballet me një votim në Senat, ku ka gjithashtu një shumicë solide. Votëbesimi për qeveritë e reja parashikohet nga Kushtetuta e Italisë.

Më herët gjatë kësaj të marte, Meloni parashtroi synimet e politikës së qeverisë së saj, duke iu kundërpërgjigjur kritikëve vendas dhe të huaj, të cilët janë të shqetësuar se politika e saj e ekstremit të djathtë mund të minojë unitetin europian, apo të drejtat civile të qytetarëve italianë.
Ajo kritikoi Bashkimin Europian se nuk është gjithmonë i gatshëm për sfida, veçanërisht në krizën dramatike të energjisë që kërcënon tani familjet dhe bizneset.
Megjithatë ajo u zotua se qeveria e saj, e përbërë nga një koalicion që përfshin aleatë të krahut të djathtë dhe të qendrës së djathtë, do të qëndrojë besnike ndaj marrëveshjeve të BE-së, ndërsa punon për reformat.
“Të bësh këto pyetje nuk do të thotë të jesh armik apo heretik, por një person praktik”, tha Meloni në një fjalim 70 minutësh.
Ajo nuk la pa shigjetuar kritikët, përfshirë ata të qeverive të huaja, të cilët janë shprehur se do të mbajnë një sy “vigjilent” ndaj qeverisë së parë të udhëhequr nga e djathta ekstreme e Italisë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Qëndrime të tilla janë të barabarta me “mungesë respekti për popullin italian, i cili nuk ka nevojë për mësime”, tha Meloni.

