Sulmi me armë ndaj familjes së Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë-Krujës, duket se është produkt i një hakmarrjeje. Kjo pasi sipas anëtarëve të grupit të hetimit, duket se vrasësit pas kryerjes së krimit, kanë shfaqur entuziazëm, gëzim dhe euforizëm. Gazetari Elton Qyno shkruan për “OraNews“, bën me dije se në ikje e sipër njëri prej tyre ka qëlluar një breshëri kallashnikovi në ajër dhe të gjithë së bashku kanë hipur në makinë duke u larguar në drejtim të Tapizës.
Deri më tani, sipas Policisë, autorët e krimit kanë qënë katër persona, tre të armatosur dhe 1 shofer. Por asnjë tipar i tyre nuk është shquar nga kamerat e sigurisë që Bejtja kishte vendosur në banesën e tij. I vetmi dëshmitar i këtij sulmi me armë, është kushëriri i Gentjan Bejtjas, i cili ka treguar se ka dëgjuar krismat dhe ka dalë menjëherë në ballkon të shikonte çfarë ndodhi.
“…Me të dëgjuar krismat, dola të shikoja nga kati i dytë i banesës sime, që është ngjitur me atë të Gentjan Bejtjas, të cilin e kam kushëri, se çfarë kishte ndodhur. Në atë moment, unë pashë tre persona të largoheshin me vrap, por nuk munda të njihja asnjërin prej tyre. Arrita të dalloj që një prej atentatorëve i priti në makinë. Me t’u afruar te makina, ata qëlluan sërish me breshëri, këtë herë në ajër dhe u larguan me shpejtësi…”-ka pohuar në polici dëshmitari. Ndërkohë për ngjarjen në fjalë policia ende nuk ka lokalizuar dhe gjetur, Gentjan Bejtjan, i cili tashmë është shpallur në kërkim policor.
“Shënjestra” e atentatit i shpëtoi vrasjes për herë të tretë, duke u larguar nga makina, vetëm pak minuta pasi mjeti u mitrajlua me 28 plumba. Fatkeqësisht i vdekur në vend mbeti kunati i tij, Ramazan Sino, dhe të plagosur dy djemtë e vegjël të Bejtjas.

