Hetimet për vrasjen e 19-vjeçarit Erjon Xhenje duket se kanë ‘ngecur’. Kur kanë kaluar 2 ditë nga vrasja, kamerat e sigurisë në lagjen ‘Kiras’ dhe në asnjë zonë tjetër të qytetit nuk i kanë pikasur autorët e ngjarjes, të cilët u larguan në errësirën e natës, të maskuar dhe të veshur me të zeza.
Megjithatë grupi hetimor i Policisë së Shkodrës po kontrollon provat e mbledhura në vendin e ngjarjes për të hedhur dritë mbi vrasjen e 19-vjeçarit, duke i varur të gjitha shpresat tek arma e krimit, një pistoletë dhe motori që u gjet i djegur në lagjen Guerrile.

Sa i takon pistave të hetimit, burime pranë grupit hetimor të Policisë së Shkodrës thonë se po punohet në dy drejtime, së pari në konfliktet e djemve të xhaxhait të viktimës Sehar dhe Shkëlzen Xhenje, të cilët janë emra të njohur për Policinë e Shkodrës, ndërkohë që pista e dytë është ajo e vrasjes së Ismet Çekorjes. Dyshohet se përveç përfshirjes së kushërinjve, edhe vetë 19-vjeçari ka qenë i përfshirë në vrasjen që ndodhi në fillim të shtatorit po në lagjen Kiras.
Megjithatë, pavarësisht dyshimeve dhe pistave të ngritura, ende nuk ka ende asnjë person të shoqëruar për këtë ngjarje, përveç dëshmitarëve të cilët natën e se dielës kanë qenë prezent në lokalin ku u ekzekutua 19-vjeçari Erjon Xhenje. Por deri më tani, nga asnjë prej tyre nuk ka dalë asnjë emër se kush fshihet pas të shtënave që i morën jetën të riut./Dosja.al

