Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të dënojë me 25 vite burgim, Arsen Stojkun, njërin nga personat e arrestuar dhe akuzuar për vrasjen në dëm të dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 Mars 2019 në Shkodër. Gazetari Elton Qyno shkruan për “Ora News” , raporten se vendimi për dënimin e Arsen Stojkut, është marrë në 16 Mars 2023 pasi togat e zeza kanë konstatuar se Arsen Stojku, ka pasur rol në vrasjen e babait dhe xhaxhait të Astmer Bilalit.
Ky i fundit, një personazh ky i botës së krimit që tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, ndërsa vetë Stojku, është i afërm i familjes Lici në Shkodër. Fillimisht gjykata e Shkodrës e dënoi Stojkun me 6 vite heqje lirie për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”. Ndërsa prokuroria në pretencën e saj kishte kërkuar dënimin e tij me 35 vite burgim për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të dy personave.
Duke mos qënë dakord me vendimin e gjykatës për dënimin e Arsen Stojkut me 6 vite burg, Prokuroria e ankimoi vendimin duke e çuar në Apel, i cili vendosi një burgim më të rëndë për të riun. Një vit më parë, për akuzën e “Përkrahjes së autorëve të krimit”, gjykata e Shkodrës shpalli fajtor dhe dënoi me 4 vjet e 6 muaj burgim Myslim Ramën. Rama ka dalë nga burgu dhe tashmë është larguar nga Shqipëria. Ndërsa për të njëjtën ngjarje gjykata e Shkodrës shpalli të pafajshëm mikun e Myslim Ramës, Denis Brahimin. Mes personave të dyshuar se ka pasur lidhje me vrasjen e dy vëllezërve ishte dhe Ibrahim Lici, por akuzat nuk u provuan.

