Nuredin Dumani, tashmë i penduari i drejtësisë ka dëshmuar sot para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme, lidhur me procesin që po zhvillohet ndaj Xhuljano Hoxhës dhe Euglen Halilit, persona të marrë të pandehur për vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt tre vite më parë në Elbasan.
Gazetari i Panorama bën me dije se nën masa të rrepta sigurie, Dumani u nxor nga qelia dhe u soll në bankën e dëshmitarit në GJKKO.
Dumani ka dhënë deklarimet e tij duke rrëfyer se me kërkesë të Erion Alibejt është bërë vrasja e Emiljano Ramazanit me armë zjarri dhe ajo e Regis Runajt me thikë në verën e vitit 2020.
Dumani ka treguar gjithashtu, se pasi ka marrë porosinë ka qenë personi që ka organizuar dy vrasjet.
Përpara gjykatës ai është shprehur se për vrasjen është paguar nga Erion Alibej, ndërsa ai ka organizuar të gjithë ngjarjen.
Sipas tij, për vrasjen angazhoi Skerdi Tasin, ndersa pas ekzekutimit u largua nga vendi i ngjarjes nga Henrik Hoxhaj, i cili ka pasur rolin e shoferit.

