Prokuroria e Shkodrës ka mbyllur dosjen e vrasjes së Endri Mustafës dhe ka vendosur që t’i komunikojë Ibrahim Licit akuzat edhe pse në mungesë. Teksa ai ndodhet në Turqi, ndaj tij janë ngritur akuzat e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”. Për ngritjen e akuzave janë bazuar në dëshminë e parë 15-vjeçari, Ergys Malja, ka dhënë në Policinë e Shkodrës pasi u shoqërua, fill pas zbulimit të trupit të Mustafës në zonën e Livadheve.

Gazetari Elton Qyno shkruan për “OraNews” se fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Po sipas tij, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë.
Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës së mitur, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie. Ndërsa i pandehuri tjetër, Ibrahim Lici, vijon të jetë në kërkim prej vitit 2020, ndërsa ka mohuar të gjitha akuzat që janë ngritur nga Prokuroria ndaj tij, edhe nga arratia. Ibrahim Lici, pretendon se ditën kur ka ndodhur krimi dhe orën e ngjarjes, ai nuk ka qenë fizikisht në Shkodër, por ndodhej në Tiranë dhe shton se për këtë ka prova dhe pamje filmike që sipas tij janë të dorëzuara në Prokurori.
Të gjithë këta persona duken në pamjet filmike të dorëzuara në prokurori. Por gjatë një ekzaminimi që ekspertët e laboratorit të policisë i kanë bërë pamjeve filmike, ata kanë dalë në përfundimin se nuk ishin në gjendje të shpreheshin nëse personi në pamjet filmike është Ibrahim Lici. Nisur nga kjo situatë, i janë referuar dëshmisë së parë të Ergys Maljas. Por nga ana tjetër, vetë nëna dhe gruaja e Endri Mustafës, e kanë përjashtuar në mënyrë kategorike, implikimin e Ibrahim Licit në vrasjen e djalit të tyre. Në dëshminë që ka dhënë përpara gjykatës së Shkodrës Fahrije Mustafa, nëna e Endri Mustafës, tregon se djalin e saj e ka vrarë Edison Arazi që në Shkodër njihet me nofkën “Coli”, megjithatë versioni i tyre nuk është marrë parasysh.
Endri Mustafa u gjet i vrarë në zonën e Livadheve maj të 2021 në Shkodër, dy ditë pasi e shoqja dhe familja e tij kishin bërë kallëzim në polici. Gruaja e viktimës, Ingridi tregoi se ka qenë 15-vjeçari që me foton e një kali e nxorri nga shtëpia dhe e çoi në duart e vrasësve. Pavarësisht shpalljes në kërkim të Licit, Ingrid Mustafa siguroi në deklaratë për mediat se të shoqin nuk ia ka vrarë fisi Lici dhe as fisi Bajri. Gishtin ajo e drejtoi vetëm tek 15-vjeçari. Ndërsa i mituri është tërhequr nga bashkëpunimi me drejtësinë, duke mos dhënë asnjë detaj më për vrasjen që mendohet se ka kryer në bashkëpunim me Ibrahim Licin./Oranews