Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Jorgo Leku janë dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e babaë e bir, Gentjan e Nezir Beqirit, 11 vite pas ngjarjes së ndodhur. Vendimi është marrë sot nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për krimin e dyfishtë të ndodhur në gusht të vitit 2012. Pas hekurave ndodhen Ardian Çapja dhe Leku, ndërsa Florenci është ende në arrati dhe në listën e të shumëkërkuarve nga drejtësia dhqiptare. Gjithashtu, GJKKO ka dënuar edhe tre persona të tjerë. Konkretisht, me 15 vite është dënuar bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, ndërsa me nga 25 vite burg u dënuan Klaidi Dokoli dhe Etien Çani që akuzohen si bashkëpunëtor në vrasje.

Në seancën e mbajtur sot, Ardian Çapja kë bërë vetë mbrojtjen e vetes dhe ka dorëzuar në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një material me 30 faqe ku kërkoi të shpallet i pafajshëm. Çapja tha se procesi ndaj tij për vrasjen Gentian e Nezir Beqirit është montuar nga Prokuroria e Elbasanit. Po ashtu, sipas tij është përfshirë edhe politika. Çapja theksoi se për akuzat e ngritura ndaj tij kishte informacione edhe avokati i tij Ravik Gurra, ndaj edhe u vra.

Ardian Çapja tha se prokurori Ritvan Suka që po heton ngjarjen e shkurtit të 2016, ku mbetën të vrarë dy familjarë të Çapjas dhe u plagosën tetë të tjerë, nuk po e zbardh pasi është përfshirë edhe politika.

“Janë tre autorë që është provuar se janë përfshirë në masakrën ndaj familjes time e po ashtu edhe politika. Ata që donin të mbanin pushtetin dhe ato që donin të siguronin vota. Edhe avokati i ndjerë Ravik Gurra ka kërkuar informacion pranë Prokurorisë së Elbasanit dhe ka vënë dispozicion materiale për zbardhjen e kësaj ngjarje, dhe ka dyshime se ai është vrarë për informacioneve që dispononte,”-tha ai. 

Për çfarë u akuzua Çapja?

Ardian Çapja, një emër i njohur në qytetin e Elbasanit për shkak të tre atentateve të cilave u ka shpëtuar dhe ngjarjeve ku është përfshirë, akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e Gentian dhe Nezir Beqirit (babë e bir), ngjarje e ndodhur në vitin 2012. Gjatë prangosjes së tij u sekuestrua edhe një kallashnikov, pesë radio dhe uniforma policie. Për të njëjtin krim është shpallur në kërkim edhe Florenc Çapja, nipi i Ardianit. Në momentin që forcat RENEA kanë shkuar në shtëpina e Ardian Çapjas për ta arrestuar atë, brenda kanë gjetur edhe një person tjetër të shpallur në kërkim, Ardi Çekani. Emri i Çapjas doli nga dëshmia e të penduarit Ervis Bardhi.

Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit? 

Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve. Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version