Zbardhen detaje të reja nga vrasja e dyfishtë e babë e bir dje në Bruçaj të Dukagjinit. Gjokë dhe Eduard Gurra janë vrarë, dyshohet nga vetëm një person, disa metra para se të mbërrinin në ambientet e shtëpisë së tyre që ishte djegur një natë para se ata të vriteshin.
Nga gëzhojat e sekuestruara në vendin e ngjarjes është qëlluar nga një armë e vetme e tipit kallashnikov. Në vendngjarje janë sekuestruar 8 gëzhoja. Autori besohet të ketë vepruar i vetëm, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar. Por ende dihet identiteti i tij.
Veç pistës që babë e bir kishin aktivitet të tregtimit të lëndës drusore, Policia ka ngritur edhe atë të konflikteve për mbjelljen e kanabis sativa, duke qenë se 57-vjeçari Gjokë Gurra në vitin 2008 ka qenë punonjës policie dhe së fundmi kryeplak i fshatit Bruçaj. Kjo pistë përforcohet me faktin se vrasja ka ndodhur disa ditë pasi Policia e Shtetit kishte zhvilluar një operacion për të shkatërruar një parcelë kanabisi në këtë zonë.
Ndaj mendohet se personi që e kishte në pronësi, fillimisht u dogji shtëpinë dhe më pas i vrau, pasi pretendonte se 57-vjeçari ishte personi që e kishte denoncuar në Policinë e Shtetit. Për të zbuluar nëse kjo do të jetë pista e vetme që do të hetohet, po verifikohet nëse ka denoncuar ndonjë rast të kultivimit të drogës dhe kjo mund të jetë bërë shkak për vrasjen.

