Makina e cila dyshohet të jetë përdorur në vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha vijon të jetë e zhdukur, gjë që lehtëson vëllanë e të pandehurit Ferdinand Rrushi. Ky i fundit është i vetmi person i marrë i pandehur dhe i vetmi i akuzuar për krimin në fjalë, të ndodhur në tetor të vitit 2021, por të zbuluar më 6 nëntor, ditë kur u gjet trupi i Hoxhës në Qafë Mollë.
Tv Klan raporton se ndonëse rezulton se Prokuroria ka arritur të zbardhë lëvizjet e fundit të mjetit, e vërteta e tij duket se do të mbetet mes vëllait të Ferdinand Rrushit, Pajtim Rrushi dhe një tjetër personi me inicialet, B.K., të dy të ballafaquar nga hetuesit. Sipas kamerave të sigurisë, për 30 minuta, mjeti ka qëndruar i parkuar pranë lokalit të vëllait të Ferdinand Rrushit dhe nga pamjet duket se në disa raste personi me inicialet B.K. dhe vëllai i Rrushit kryejnë veprime si ato të kontrollit në mjet, ndërsa më vonë shihen me një qese të zezë në dorë.
Disa momente më vonë, në këto kamera sigurie, pranë mjetit shfaqet edhe një punonjës policie, i cili komunikon diçka me vëllain e Ferdinand Rrushit dhe më pas largohet. Makina është zhvendosur nga aty në datën 25 Tetor në orët e pasdites dhe deri më tani nuk është gjetur, edhe pse konsiderohet ende kyçe nga hetuesit. Ndërkohë Prokuroria liroi nga akuzat vëllain e Rrushit, i cili u arrestua fillimisht si bashkëpunëtor në krim në fshehjen e provave.
43-vjeçari Ruzhdi Hoxha u gjet i vdekur në Malin me Gropa në 6 nëntor, 2021. Ai ishte zhdukur prej dy javësh nga shtëpia dhe familja denoncoi në polici. Rrushi mendohet të ketë shkuar bashkë me një mikun e tij në Malin me Gropa dhe ta ketë ekzekutuar biznesmenin Hoxha me dy plumba. Mëngjesin e ditës tjetër, ai u kthye sërish në vendngjarje dhe groposi kufomën. Fredi Rrushi mori telefonin e Rruzhdi Hoxhës dhe e flaku diku, i cili u gjet rastësisht nga një taksist. Kjo ndihmoi në zbulimin e kufomës e më pas në zbardhjen e vrasjes. Shkaku mendohet të kenë qenë borxhet që viktima kishte ndaj Fredi Rrushit.

