Një tjetër pretencë është dhënë nga SPAK për dy persona të tjerë të përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos, djalit që u qëllua brutalisht me armë nga një skuadër me vrasës në mes të Tiranës rreth 4 vjet më parë.
Viktima që më shumë u njoh si një nga njerëzit e afërt të atij që konsiderohet mbreti i lojërave të fatit u tha se u vra pikërisht për këtë shkak e policia hyri vonë në veprime për të bërë ndalimin e vrasësve. Kur nuk ishte e vështirë për Policinë të dihej se vrasësit ishin anëtarë të një klani që ishte emërtuar ‘Duka’ dhe gjysma e tyre mundën të largohen nga vendi, Policia nisi arrestimet. Fillimisht atë që e kishte survejuar të riun e më pas edhe dy të tjerë. Po ndërsa survejuesi u dënua me 25 vjet burg, dje Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe 25 për një tjetër të arrestuar si bashkëpunëtor në krim. Ndërkohë janë kërkuar vetëm 7 vjet për personin që gjendet në gjykim aktualisht dhe sipas prokurorisë rezultoi të ishte pjesë e skuadrës së ‘Dukëve’ në atë ngjarje.
PRETENCA
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka shpallur pretencën për dy anëtarët e “Klanit Duka” të akuzuar për vrasjen e ishefektivit të Policisë, Santiago Malko, në 27 gusht të 2019-s. SPAK ka kërkuar dënimin me 25 vjet burg për Ilir Selmanin dhe me 7 vjet burg për Elvis Gacajn.
Ish-polici Malko njihej si krahu i djathtë i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj, dhe dyshohet se u ekzekutua nga anëtarët e klanit ‘Duka’ që njihen si rivalët më të mëdhenj të biznesmenit të lojërave të fatit, i cili ka humbur gjurmët prej muajsh, që pasi u shpall në kërkim në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’. Më herët për këtë ngjarje, u dënua me 25 vite burg Bledi Teta, i cili ka qenë një prej personave që mori pjesë në atentatin me breshëri kallashnikovi ku shënjestra ishte viktima Santiago Malko. Teta ka mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e Malkos dhe ka njoftuar grupin kundërshtar në momentin kur ky i fundit është gjetur i pambrojtur dhe është qëlluar brenda makinës së tij.
ARRESTIMI I DUKËS
Më 14 shkurt të këtij viti, Leonard Duka, rivali më i madh sipas Policisë, i bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, identifikohet në periferi të Brukselit. Ai aty ishte bashkë me një femër në momentin kur u pikas nga Policia belge. Autoritetet belge zbarkuan që në orën 06:00 të mëngjesit në banesë dhe e prangosen.
Sipas burimeve, 37-vjeçarit, që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit si autor i dyshuar i vrasjes së Santiago Malkos në gusht të 2019-s, iu gjend armë zjarri në banesë dhe një sasi e konsiderueshme parash. Duka, kur e pa veten të rrethuar dhe pa asnjë mundësi arratisje, nuk bëri rezistencë dhe iu dorëzua Policisë belge pa shumë zhurmë. Ai u mbajt nën vëzhgim nga Policia belge për disa ditë, derisa u bindën se kishin të bëjnë me të njëjtin person që homologët e tyre shqiptarë kishin lokalizuar më herët, ndonëse ai jetonte aty në një vilë luksoze, te një prej lagjeve më të pasura të Brukselit.
VRASJA E SANTIAGO MALKOS
Mbrëmjen e 27 gushtit, në zonën e “Xhamllikut” ekzekutohet me breshëri plumbash Santiago Malko. Malko, një ish-punonjës Policie i larguar nga detyra pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit, ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij do të dilte në skenë në tetor të 2018, ngjarje kjo kur i plagosur mbeti miku i tij, Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash.
Në kërkim me vendim gjykate janë shpallur 7 persona: Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku e Dritan Agaj, të gjithë nga Tirana, si dhe Fatmir Hyseni nga Vlora, i njohur ndryshe me nofkën “Doqja”. Malko dyshohet të ketë qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale, e ndërsa dyshimet e Policisë janë se ai u ekzekutua për shkak të trafikut të lëndëve narkotike, borxheve të pashlyera e konflikteve mes bandave të rrezikshme.

