Dibran Hoxhaj dhe pesë personat e tjerë, të arrestuar për vrasjen e ndodhur në klubin e natës “Kobra City”, ku mbeti i vrarë Visar Cengu, kanë dalë sot para gjykatës. Masa e sigurisë do të caktohet në orën 10:30. Prokuroria ka dërguar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit dhe mbajtja e seancës tashmë është caktuar.
Dibran Hoxhaj, i njohur si ‘Kobra’ akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, ndërsa të ndaluarit e tjerë për “pjesëmarrje në rrahje”. Në pamjet e publikuara, duke momenti kur ata futen në sallën e gjyqit, ajo që vihet re është se të gjithë futen normalisht, ndërsa Dibran Hoxhaj alias ‘Kobra’ qëndron pak minuta në korridor. Siç duket, ai nuk dëshiron të filmohet nga kamerat dhe mban veshur një xhup të madh me një kapuç të vendosur në kokë.
Besim Cengu, xhaxhai i Visar Cengut, 31-vjeçarit të vrarë, ka apeluar ndaj organeve të drejtësisë që të mos qëndrojnë indiferente për zbardhjen e vrasjes së nipit të tij.
Dibran Hoxhaj është përleshur me tre të rinjtë nga Kukësi, dy prej tyre të identifikuar si Visar Cengu dhe Rufgen Shehu. Sherri ka nisur pasi të rinjtë nuk kanë pranuar që të paguanin faturën prej 400 eurosh që kishin konsumuar në lokalin e Dibran Hoxhajt. Pas përleshjes fizike, Hoxhaj ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj klientëve. Si pasojë e të shtënave, Cengu ka mbetur i vrarë dhe shoku i tij është plagosur. Ai nuk është një emër i panjohur për drejtësinë pasi ka qenë i dënuar më parë për trafik droge dhe përleshje fizike.

