Vrasja e tre grave dhe plagosja e tre të tjerave nga Dan Hutra tronditi opinionin publik. Këto vrasje, kanë rritur rrezikun e një histori hakmarrje. Gazetarja Doriana Bezat, raporton se motra 53-vjeçare e Dan Hutrës e cila banon në Sauk së bashku me djalin 29 vjeçar kanë shprehur në polici pasigurinë e tyre për jetën pas vrasjeve të kryera nga Dan Hutra. Ata i druhen hakmarrjes për shkak të lidhjes së gjakut.
Përpara togave të zeza ku u njoh me masën e sigurisë burg pa afat, një ditë më parë, Hutra nuk shprehu asnjë pendesë për krimet e kryera. Hutra tregoi në gjykatë se skenarin e përgatiti teksa ishte në burg së fundmi, për dhunë në familje ndaj ish-bashkëjetueses, akuzë të cilën nuk e pranoi.

3 vrasjet e Dan Hutrës- Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku si dhe plagosi Elenën dhe nënën e saj, Kujtimen.Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. 31-vjeçaren e vrau në shenjë hakmarrje ndaj vëllait të saj, Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur konflikte gjatë kohës që kishte qenë në burg. Arratia e Dan Hutrës mori fund gjatë orëve të pasdites. Pa shkuar ende ora 19:00, ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës.Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën, tentativë që fatmirësisht dështoi. 40-vjeçari, një person me precedentë të theksuar kriminalë, i dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje, nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera.

