Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për 24-vjeçarin, Ardit Hida, i akuzuar për vrasje dhe plagosje. Ndaj tij, është ngritur akuza për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” që parashikon dënimet më të rënda në Kodin Penal.
Hida akuzohet për vrasjen e shtetasit Florenc Kovaçi dhe plagosjen e vëllait të tij, Mikel Kovaçi, ngjarje e ndodhur më 5 nëntor të vitit të shkuar.
“Ky procedim i referohet ngjarjes së datës 05.11.2021 ku në qytetin e Elbasanit i pandehuri Ardit Hida vrau me armë të ftohtë viktimën F.K, i cili ka gjetur vdekjen në vend dhe ka plagosur rëndë shtetasin e mitur M.K. I pandehuri është hetuar nën masën e sigurisë “Arrest në burg””, thuhet në dosje.

NGJARJA
Ka qenë ora rreth 19 e 50 minuta, kur dy vëllezërit, përkatësisht Florenc dhe Mikel Kovaçi, janë konfliktuar me një grup të rinjsh, konflikt, i cili dyshohet se ka ndodhur për shkak të një femre. Ata kanë debatuar fillimisht me fjalë dhe më pas janë përdorur armë të ftohta. Për pasojë ka humbur jetën Florenc Kovaçi, 28 vjeç, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë vëllai i tij, Mikel Kovaçi, 19 vjeç. Ky i fundit është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore.
Pas arrestimit të autorit të dyshuar, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe mjeti prerës (thikë) me të cilin 24-vjeçari kreu krimin. Sherri që përfundoi me vrasje dyshohet të jetë bërë motra 14-vjeçare e autorit. Ardit Hida kishte shkuar për të takuar vëllezërit Kovaçi, kjo pasi 14-vjeçarja kishte lidhje me një prej tyre, Mikel Kovaçin. Sipas dëshmive të shumta të familjarëve dhe pretendimeve të ngritura, 14-vjeçarja konsumonte lëndë narkotike, të cilën ia siguronte Mikel Kovaçi.