Një 50-vjeçar shqiptar, i paidentifikuar me emër, është qëlluar për vdekje pranë një karburanti në Selanik të Greqisë. E gjithë skena është xhiruar nga kamerat e sigurisë së karburantit, ku duket qartë se para vrasjes, viktima shihet duke debatuar me drejtuesin e një automjeti. Disa sekonda më vonë 50-vjeçari shfaqet jashtë automjetit, i cili tenton të qëllojë drejtuesin me një send të fortë që ka në dorë, por sapo tërhiqet, nga brenda makinës shkrepet arma, e menjëherë shqiptari bie në tokë.
Sipas mediave greke, viktima ka mbetur i plagosur rëndë në shpatull dhe ka ndërruar jetë pak minuta më vonë.
Sipas informacioneve të para, viktima 50-vjeçare me origjinë shqiptare është qëlluar me të paktën dy plumba dhe ende nuk janë zbardhur arsyet që kanë çuar në vrasje. Por ende nuk dihen detaje as lidhur me identitetin e tij. Autoritetet policore greke janë vënë në ndjekje të autorit të ngjarjes, por ende nuk ka asnjë shenjë.

