Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka komentuar ndalimin e djalit të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Në një konferencë për shtyp, Sveçla u shpreh se Danilo Vuçiç mbante veshur një bluze provokative dhe kishte hyrë në Kosovë si qytetar i thjeshtë.
“Ai në Kosovë ka hyrë si qytetar i thjeshtë. Edhe sipas marrëveshjes së Brukselit për hyrje si qytetar i thjeshtë nuk ka procedura të veçanta. Ai është shfaq në Graçanicë me atë bluzë provokative. Por, sipas informacioneve të Policisë, kanë kontrolluar ata persona që janë dukur të çuditshëm, njësoj ka ndodhur dhe me djalin e Vuçiçit”, tha Ministri.
Ai shtoi se Aleksandër Vuçiç është gënjeshtar kronik pasi efektivët e kanë ndaluar vetëm 1 herë djalin e tij, jo 3 herë.
“Të gjithë e dimë që Vuçiç ka qenë ministër i propagandës në Qeverinë e Millosheviçit, por se vazhdon të dëshmojë se është gënjeshtar kronik. Djali i tij nuk është ndalur tri herë nga Policia e Kosovës, por vetëm një herë në dalje të Prishtinës, në drejtim të Serbisë”, tha Sveçla .

