Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka dhënë mesazhe të forta pas takimit që zhvilloi ditën e sotme me gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në takimin e sotëm, ambasadorja Kim i ka inkurajuar që të vijojnë punën e tyre pavarësisht presioneve të ndjeshme ndaj tyre.
‘Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarët të lartë të shpallen fajtor me vendime përfundimtare!,”- nënvizoi ambasadorja Yuri Kim në reagimin e saj, e paralajmëroi se është një kohë kritike për Reformën në Drejtësi.

Mirëpo nuk e ndali me kaq mesazhin e saj. Sipas diplomates, kriminelët tashmë po ndjejnë presionin se drejtësia po funksionin dhe i paralajmëroi se me çdo kohë që kalon, gjithmonë e më shumë intensive do të bëhen përpjekjet e tyre për të dalë mbi ligjin.
“Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t’u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqinj se ligji po funksionon,”-shton Kim në postimin e saj, duke ndarë edhe foto nga takimi.
POSTIMI I PLOTË:
Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t’u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqinj se ligji po funksionon. Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë
Mirëpo postimi i bërë mësipër nga Ambasada Amerikane në Shqipëri, është edituar dhe në të është shtuar dhe një detaj tjetër që nuk ishte në deklaratën e parë. Në të, shkruhet se të gjithë ata që kërcënojnë drejtësinë dhe “njerëzit” e saj do të hetohen penalisht, duke u shtuar edhe një tjetër vepër penale mbi “supe”. Atë të kanosjes për shkak të detyrës.
POSTIMI I RI I NXJERRË NGA AMBASADA:
️Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim vizitoi sot Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe u takua me gjyqtarët e saj. Ambasadorja i përgëzoi gjyqtarët për punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre, pavarësisht sfidave. Duke nënvizuar se reforma në drejtësi është në një fazë kritike, ajo u bëri thirrje gjyqtarëve që të kryejnë punën e tyre me integritet, pavarësisht nga kërcënimet dhe nxitjet e atyre që kërkojnë të ruajnë mosndëshkueshmërinë ose privilegjin e tyre të paligjshëm. Kërcënime dhe nxitje të tilla janë në vetvete të paligjshme dhe duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht. Siç thotë edhe tabela në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, “Ligji është i barabartë për të gjithë”. Kjo do të thotë se askush nuk është mbi ligjin. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht sundimin e ligjit dhe, më gjerë, reformën në drejtësi, e cila është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë si një aleate demokratike, e begatë e Shteteve të Bashkuara dhe anëtare e Bashkimit Europian.
Por ajo që nuk tha ambasadorja Kim sot janë emrat e personave që kanë kërcënuar gjyqtarët e GJKKO-së. Janë njerëz pranë pushtetit, janë politikanë, ndërtues të fuqishëm apo personazhe të botës së krimit? Vepra penale është e njëjtë, por jo nëse vjen nga një politikan. Së fundmi, kemi dëgjuar publikisht kryeministrin Edi Rama që të kërkojë nga SPAK edhe hetimin e demokratëve, por nuk dihet nëse ky është rasti, ose një prej tyre, të cilët i referohet ambasadorja amerikane në vendin tonë.
Kjo e fundit e zhvilloi takimin në orët e para të mëngjesit, ku u takua me kryetaren në detyrë të GJKKO, Irena Gjoka. Kim i përgëzoi gjyqtarët për punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre, veçanërisht ndërsa GJKKO nuk është plotësuar ende me 16 gjyqtarët e nevojshëm dhe ka një numër gjithnjë e më në rritje të çështjeve.

