Operacionet në centralin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë, të kontrolluar nga Rusia, janë ndalur plotësisht si masë sigurie, pasi frika për një katastrofë rrezatimi vazhdon. Energoatom, agjencia shtetërore përgjegjëse për centralin, ka bërë me dije së fundmi se puna në objekt ishte “ndërprerë plotësisht” pasi shkëputi njësinë e energjisë në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Nga ana tjetër, Kievi u bëri thirrje të mërkurën banorëve të zonave përreth uzinës, të cilat kontrollohen nga Rusia, të evakuohen për sigurinë e tyre. Uzina e Zaporizhzhias është më e madhja në Europë dhe dëmet që mund të shkaktohen nga rrezatimi bërthamor mund të jenë katastrofike.
Centrali me gjashtë reaktorë, Zaporizhzhia u shkëput nga rrjeti javën e kaluar pasi të gjitha linjat e tij të energjisë u shkëputën si rezultat i luftimeve në zonë dhe po funksiononte në “modalitetin ishullor” për disa ditë, duke gjeneruar energji elektrike vetëm për sistemet e rëndësishme të ftohjes.
Energoatom u bëri thirrje forcave ruse të largohen nga centrali Zaporizhzhia dhe të lejojnë krijimin e “një zone të çmilitarizuar” rreth tij. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara që ka dy ekspertë në termocentral, ka kërkuar gjithashtu një zonë të sigurt rreth centralit për të shmangur një fatkeqësi.





