Sanitarja Rozeta Dobi është rrëfyer sërish për hetuesit duke dhënë një tjetër version. Sipas sanitares, ish-zyrtarja Alda Klosi, i kishte dhënë 10 mijë euro si shpërblim për inskenimin e vjedhjes dhe ruajtjes në banesë të rreth 500 mijë eurove. Por jo vetëm kaq, në dëshminë e datës 6 Shkurt, Rozeta Dobi gjithashtu ishte shprehur se ish-zyrtarja e lartë i ka premtuar edhe një tharëse rrobash.
“Të hënën pasdite kam vajtur në banesën e Aldës, kam sistemuar rrobat që i kisha bërë rrëmujë të enjten, kam pastruar shtëpinë, dhe në fund ka ardhur Alda e cila më ka bërë pagesën e muajit 100 Euro, më pas më ka dhënë edhe shumën e shpërblimit 10.000 Euro. Për tharësen më ka thënë se do të shikoj se si do më eci puna dhe kur të kthehem nga Amerika do ta blej,”- ka dëshmuar ajo.
Sipas sanitares, Klosi dhe ish-bashkëshorti i saj kishin porositur një banesë të Kodra e Diellit dhe posedojnë një shtëpi private në Vuno, por këto prona ende po verifikohen nga Prokuroria e Tiranës: Më është thënë si nga Alda Klosi, bashkëshorti i saj Altin Klosi dhe mamaja e Aldës, se ajo kishte prenotuar një banesë te Kodra e Diellit. Nuk di si është prenotuar kjo banesë, por më është thënë se unë do të kisha shumë punë për të kryer në këtë banesë. Ata më informuan edhe për një shtëpi private në Vuno. Bashkëshorti rrinte nga dy muaj me pushime bashkë me djalin në këtë banesë, Altini më thoshte se në këtë banesë jam kollovar. Pas ndarjes me Aldën ai më thoshte që mua më do Alda të arrestuar dhe për atë shtëpi do të luftoj fort që të mos ma marrin, pasi do ia kaloj djalit në pronësi.
Ndër të tjera, Dobi rrëfen edhe bisedat me punëdhënësen e saj deri ditën që ra në pranga, madje ish-zyrtarja i kërkon një foto, për të cilën ka dyshime se do t’ua jepte autoriteteve.
“Deklaroj se Alda më ka bërë mesazh në Whatsapp ku më ka pyetur si je dhe ku je, unë e kam marrë në celular në Whatsapp dhe i kam thënë se jam në punë dhe pasdite do iki tek Altini, kjo telefonatë ka qenë në datën 06 Janar 2023, që përkon me ditën që jam arrestuar. Gjatë kësaj kohe më kërkoi një foto timen që t’ia dërgoja, unë nuk ia dërgova pasi nuk di të përdor telefonin, por e mora në telefon në whatsapp dhe më është përgjigj “o bo bo, flasim më vonë se nuk kam internet”.”
Pasi përfundoi me rrëfimin ndaj Klosit, Dobi përmendi edhe disa nga emrat e opunëdhënësve të saj: Aranita Brahaj, Marsela Elmazaj, Kaltra Bregu, Ejona Kazaj, Rudina Karamuça, Altin Dine, Altin Klosi. Deklaroj se pagesa ka qenë 20 euro dita.
Disa javë më parë, Alda Klosi dhe sanitarja e saj Rozeta Dobi, të dy të arrestuara, u ballafaquan në Prokurorinë e Tiranës, por ndaj ish-zyrtares, aktualisht janë ngritur 3 akuza ajo e “Pastrimit të parave”, “Mosdeklarimit të pasurisë” dhe “Deklarimit të rremë para oficerit të policisë gjyqësore” i konsideron deklarimet e Dobit të gënjeshtërta.
Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit ka marrë një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove, burimi i të cilave nuk dihet. Këto para edhe pse kanë kaluar 2 javë që prej zbulimit të vjedhjes, nuk dihet se ku i ka gjetur Alda Klosi. Ajo po hetohet gjithashtu nga prokuroria.
Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri.
Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. Këto para janë pa pronar sot, pasi Alda Klosi mohon që të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohon se edhe këto para i ka marrë te Klosi. Për këtë shumë nuk ka asnjë denoncues në Polici. Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë disa javë më parë në SHBA, ku edhe po kurohej. Megjithatë duket se as i ndjeri nuk i justifikonte dot paratë, pasi e mbesa është vendosur në pranga.

