Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të kryekomisionerit Celibashi për mosregjistrimin e PD-së në zgjedhje. Me anë të një postimi të bërë në rrjetet e tij sociale, Gazment Bardhi sulmoi kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, kreun e KQZ, duke e akuzuar se shkeli rëndë ligjin për qëllime politike. Po ashtu, Bardhi bën me dije se ky vendim do të ankimohet në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve.
“Asnjë njëri i shantazhueshëm dhe që nuk respekton ligjin, nuk meriton asnjë respekt. Ilirjan Celibashi ka humbur besimin e PD për të administruar procesin zgjedhor. Ai shkeli rëndë ligjin, për qëllime politike. Vendimi do të ankimohet menjëherë në KAS,”- tha Bardhi ndër të tjera.
Asnjë nga Partitë Demokratike nuk do të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vendimi është marrë nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, në mbledhjen e sotme të KQZ-së. Sot, sipas KQZ, legjitimitetin për të kërkuar legjitimitetin për regjistrimin e PD në zgjedhje e ka Lulzim Basha, i cili ligjërisht figuron kryetar, edhe pse ka dhënë publikisht dorëheqjen. Por problem është fakti që Basha nuk ka firmosur deklaratën solemne për regjistrimin në zgjedhje.

