Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit. Celibashi u shpreh se nëse qeveria u akordon buxhetin për pajisjet për votim elektronik në 6 bashki të vendit deri në mes të dhjetorit atëherë, votimi në këto bashki do të bëhet elektronik. Po ashtu ai theksoi se Kodi Zgjedhor nuk do të ketë ndryshime pasi në të kundërt do të sjellë probleme.
“Do donim të dinim nëse është është e mundur buxheti për votimin elektronik në këto bashki. Maksimumi mesi i muajit që vjen, ndryshe edhe nëse këto para do të jenë të mundur për t’ia dhënë KQZ-së, procesi i blerjes së pajisjes kërkon kohë dhe nuk është e mundur. Nuk kam konstatuar një shtysë nga ana e Partive Politikë për këtë çështje. Ka një lloj interesi, por nuk ka ndonjë shytsë të fortë. Nuk do të ketë ndryshime të minutës së fundit të Kodit Zgjedhor, ky kod rregullash që është në fuqi do të jetë në fuqi dhe zgjedhjet lokale. Ne kemi një ligj zgjedhor që në tërësi garanton një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, por zbatimi i tij është një çështje tjetër,” tha Celibashi.

