Partia Socialiste do të nisë një dialog me bashkitë dhe të gjithë komunitetet në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme vendore në 2023.
Krerët e bashkive dhe ministrat do të ndërmarrin një tur llogaridhënie nëpër qarqe, do të rikthehen dëgjesat publike në prani të Kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që do të zhvillohen sondazhe për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet lokale. Në këtë mënyrë, PS-ja nis “fushatën” elektorale për vendoret e vitit të ardhshëm në funksion të së cilës ishte edhe mbledhja e djeshme e kryesisë së PS-së.
Përgatitjet startojnë me takimet me qytetarët, ndërkohë që burime për gazetën “Panorama” brenda mbledhjes bëjnë me dije se ministrat do të zbresin në takime me bazën para të cilëve do të japin llogari për përmbushjen ose jo të premtimeve të bëra nëpër qarqet e vendit. Po ashtu, mësohet se do të zhvillohen sondazhe për testimin e kandidatëve që do të garojnë përballë opozitës. Partia Socialiste duket se ka arritur të rikonfirmojë tre prej kryebashkiakëve aktualë si kandidatë për zgjedhjet vendore të vitit 2023. Bëhet fjalë për Bashkinë e Tiranës, Fierit dhe atë të Lushnjës. “Panorama” mëson se Rama do të rikandidojë për kryetarë të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, për Bashkinë e Fierit Armando Subashin, dhe për kryetar të Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefan.
PREMTIMET
Kryeministri Edi Rama po intensifikon takimet me strukturat e Partisë Socialiste për përgatitjet për zgjedhjet vendore. Gjatë mbledhjes së djeshme me anëtarët e kryesisë së partisë ai njoftoi turin e takimeve nëpër bashkitë e vendit, ndërkohë që mësohet se ministrat i ka urdhëruar që të ballafaqohen para elektoratit nëse kanë realizuar çdo premtim të dhënë.
“Për të komunikuar intensivisht me të gjitha komunitetet, qoftë për qeverisje vendore, qoftë për sfidat e përbashkëta”, theksoi Rama pas mbledhjes së kryesisë së PSsë. Kreu i mazhorancës turin e takimeve me kryebashkiakët dhe qytetarët në të gjithë vendin do ta nisë nga Përmeti dhe Gjirokastra. Sipas tij, këto takimeve do të bëhen për të shpjeguar reformat që qeveria do të marrë për të përballuar dimrin e vështirë që na pret, e për të përballuar krizat e shkaktuar për shkak të luftës në Ukrainë.
Kryeministri u shpreh se në këtë situatë të vështirë që jemi duhet që të krijojmë lidhje me aleatë të fuqishëm dhe kritikoi opozitën për të cilën tha se premton vetëm izolimin dhe se është e zhytur në thesin e rublave. Rama përsëriti sërish që ajo çfarë dimë është më pak se ç’duhet ditur, duke e lënë të nënkuptuar këtë shprehje e duke mbyllur kështu prononcimin për mediat. “Çështja është se në këtë epokë kërcënimi kur Shqipëria nuk bën përjashtime duhet të përballemi me pasojat e diçkaje që është jashtë nesh, na duhet të themi sa më të qartë e të bashkuar e sa më të lidhur me partnerë e me aleatë të fuqishëm. Do të ishte mirë të kishim një opozitë të rrinte mirë në këtë kontekst por premton vetëm izolim nga bota por fatkeqësisht është e zhytur në thesin e rublave.
Mënyra si vepron mban erë. Ajo çfarë dimë është më pak se ç’duhet ditur”, deklaroi kreu i mazhorancës. I takon qeverisë, i takon shumicës qeverisëse tha Kryeministri, që të bëjë gjithçka për të lehtësuar sa të jetë e mundur peshën e kësaj lufte mbi kurrizin e ekonomisë së vendit dhe patjetër edhe mbi shpatullat e familjeve. “Kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe do vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi. Jemi duke finalizuar buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili është dyfishi i buxhetit të vitit 2013, çka tregon se shumëçka ka ndryshuar pozitivisht në funksion të së ardhmes së vendit, por patjetër ky dyfishim i buxhetit është mbi të gjitha i bazuar tek domosdoshmëria për të vazhduar të mbështesim që të gjithë sa të jetë e mundur”, theksoi Edi Rama. Ai siguroi se qeveria do vijojë të qëndrojë pro për planit të energjisë për të përballuar krizën energjetike.
Rama: Nisim rrugën drejt fitores së zgjedhjeve
Me një mesazh ndryshe nga zyra e tij e nisi dje ditën Edi Rama. Ai ndau një video teksa futet në zyrë, ku shihen edhe dy breshka dhe jep mesazh dhe për zgjedhjet vendore. Sipas tij, ka nisur rruga e re për fitoren e zgjedhjeve. “Mirëmëngjesi, qenke zgjuar ëë? Mirëmëngjesi, një ditë e re një javë e re në zyrën e Partisë Socialiste për të nisur edhe një rrugë të re drejt fitores së re, atë të zgjedhjeve vendore.
Dialogu me komunitetet në të gjithë Shqipërinë për qeverisjen vendore dhe për sfidat e përbashkëta. Paçi të gjithë një javë të mbarë me sa më shumë shi mundësisht. Shiu s’duhet të na harrojë, sepse na duhet për të luftuar me inflacionin e luftës së Putinit që nuk e kemi sjellë ne, por që duhet të bëjmë çmos që ta lehtësojmë sa më shumë për të gjithë ju”, shprehet Rama. Shumica e njerëzve i mbajnë për fat breshkat, por nuk dihet nëse mesazhi i Ramës ishte për fat në zgjedhjet vendore të 2023 apo mesazh për strukturat e PS-së që po punojnë ngadalë./Panorama

