Velipoja u trondit mëngjesin e kësaj të premteje, nga një shpërthim i fuqishëm, çka bëri që qindra pushues e banorë të përjetojnë çaste tmerri. Ishte ora 10:00 e paradites, kur si pasoje e rrjedhjes së gazit në kuzhinën e restorantit “IL CAVALIERO”, mbetën të plagosur rëndë tre persona, ndërsa 20 të tjerë u lënduan.
Më të prekurit ishin pronari i restorantit ku ndodhi shpërthimi Besnik Zejnuni 55 vjeç dhe djali i tij Hektori 33 vjeç. Ata ishin në pjesën e brendshme të lokalit kur u ndodhën mes flakëve. Edhe një 19-vjeçare qe po ashtu ishte brenda, mori plagë të shumta nga zjarri.
I gjithë vendi u përfshi nga kaosi ndërsa njerëzit vraponin tu shpëtonin flakëve e në panik nga ndonjë shpërthim i dytë. Zjarrfikësit, policia e njerëz të rastësishëm u dhanë ndihmën e parë të plagosurve ndërsa situata u qetësua vetëm disa orë më vonë.

