I veshur sportiv dhe me mjeker dhe me pranga në duar , Selim Struga ka zbritur në Rinas pasditen e djeshme i shoqëruar nga forca të shumta policie. 54 vjeçari u arrestua 8 vite më parë në Detroit të Amerikës pasi ishte në arrati për një vrasje të kryer para rënies së komunizmit.Struga akuzohet se në vitin 1989 ka vrarë me thikë shtetasin Gëzim Çelmeta.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e brendshme të lokalit të quajtur “10 Korriku”, të ndodhur në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë. Struga ka qenë duke pirë me shtetasit Muhamet Nezaj dhe Fatmir Maçkën në një tavolinë e në pije e sipër dikush nga shokët përreth tavolinës ka thyer një shishe. Ndërkohë, në të njëjtin lokal kanë qenë ulur dhe viktima, Gëzim Çelmeta dhe shoku i tij, Bujar Rama.

Këta të fundit, duke parë gjendjen e alkoolizuar të tavolinës ngjitur me ta, kanë marrë rrugën për të dalë jashtë. Në momentin e daljes, njëri nga personat e ulur në tavolinë me Selim Strugën ka debatuar me shtetasin Bujar Rama. Ky fakt, ka përfshirë dhe personat e tjerë në debat, i cili shumë shpejt ka degjeneruar në një situatë të acaruar. Në këtë moment, Selim Struga i është afruar nga pas viktimës dhe e ka goditur me mjet të fortë shpues, i cili është plagosur dhe më pas ka vdekur ne spital.

Policia njoftoi sot (31.12.2018 ) se pas një pune investiguese të Policisë Shtetit Shqiptar, në datë 30.12.2018, ështe realizuar ekstradimi nga Detroit/SHBA drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptaro-amerikan Selim Struga, 54 vjeç, lindur në Tiranë.
Shtetasi Selim Struga, me vendim nr. 1010A dt. 26.07.2012 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin nr.975 datë 11.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë është dënuar me 15 vjet burg, për veprën penale “Vrasje me dashje” , parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar nga Shqipëria nëpërmjet kufirit me Ish Jugosllavinë.

Pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet e Shteteve të Bashkuara, në vitin 2007 subjekti është arritur që të lokalizohet në SHBA dhe pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, ai është arrestuar në këtë vend me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë në vitin 2011.
ZQK Interpol Tirana në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Sigurisë Diplomatike (DSS) të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, ka finalizuar me sukses ekstradimin drejt Shqipërisë në datë 30.12.2018, duke e vënë këtë subjekt në dispozicion të organeve të drejtësisë shqiptare./sosnews.al

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version