Pas viteve 2011, vihet re një sofistikim i vrasësve me pagesë. Kategoria më problematike janë “vrasësit profesionistë”. Shihet se kjo kategori vrasësish po merr gradualisht trajta organizative në formën e një rrjeti kriminal, ku struktura e “ndërmjetësve” duket se është struktura më e organizuar. Ka një rritje të bashkëpunimit midis bizneseve dhe vrasësve me pagesë. Këta të fundit, përdoren nga bizneset për çështje sigurie apo për të asgjësuar konkurrentët e tyre. Në kategorinë e “vrasësve profesionistë” hyjnë dy grupe vrasësish: “lëvizës” (ata të cilët janë rezidentë në një prej shteteve të BE-së) dhe “rezidentë” ata që janë kthyer në Shqipëri. Vërehet një qasje e re e strukturave kriminale të ndryshme që po rekrutojnë adoleshentë, të cilët i përgatisin për të kryer vrasje. Të rinjtë e rekrutuar vijnë nga familje me anëtarë të përfshirë në veprimtari kriminale të mëparshme ose janë të rinj që vuajnë dënime për vepra si vjedhje apo grabitje. Këta të rinj krijojnë lidhje me eksponentë të njohur të krimit në burgje, dhe përdoren më pas për kërcënime dhe vrasje.

Në periudhën 1998 – 2014 numërohen rreth pesë kategori vrasësish me pagesë:
1) Vrasës fillestarë,
2) Vrasës diletantë,
3) Vrasës ekskluzivë,
4) Vrasës me përvojë
5) Vrasës profesionistë.

• Pas vitit 2011 vihet re një sofistikim i vrasësve me pagesë.
• Kategoria më problematike janë “vrasësit profesionistë”. Vërehet se kjo kategori vrasësish po merr gradualisht trajta organizative në formën e një rrjeti kriminal, ku struktura e “ndërmjetësve” duket se është struktura më e organizuar.
• Ka një rritje apo bashkëpunim midis bizneseve dhe vrasësve me pagesë, të cilët përdoren për çështje sigurie nga bizneset apo për të asgjësuar konkurrentët e tyre.
• Kategoria e “vrasësve profesioniste” përdor shumë mirë armët, dhe kryen vrasje nëpërmjet armëve dhe eksplozivit. Kjo e fundit është më e pëlqyer, pasi lehtëson zhdukjen e gjurmëve.
• “Vrasësit profesioniste” kanë informacione rreth teknikave kundërzbuluese të përdorura nga grupet terroriste.
• Në kategorinë e “vrasësve profesionistë” përfshihen dy grupe “vrasësish profesionistë”: “lëvizës” (ata që janë rezidentë në një nga shtetet e BE-së dhe “rezidentë”, ata që janë kthyer në Shqipëri. Të parët janë më të vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet shqiptare, prandaj duhet një koordinim i mirë me institucionet partnere.
• Kategoria e “vrasësve profesionistë” në përgjithësi importohet nga jashtë vendit dhe është trajnuar nga formacionet kriminale që veprojnë në BE. Kjo kategori vrasësish ka përvetësuar teknika krimi shumë të përparuara.
• Vihet re që strukturat kriminale po rekrutojnë adoleshentë, duke i përgatitur për të kryer vrasje, dhe kjo duket të jetë një qasje e re.
• Të rinjtë e rekrutuar vijnë nga familje me një histori kriminale ose nga të rinj që vuajnë dënime për vepra si vjedhje apo grabitje dhe krijojnë lidhje me eksponentë të njohur të krimit në burgje, të cilët i përdorin më pas për kërcënime.

Vrasjet me pagesë Sipas raportit të Drejtorisë të Përgjithshme të Policisë (DPP) për vitin 2013, janë evidentuar rreth 107 vrasje me dashje, dhe janë zbuluar 86 raste ose 80.4 % e tyre.313 DPP raporton një ulje me 10,4% të numrit të vrasjeve me dashje, gjatë vitit 2014.314 Megjithatë DPP nuk ka një të dhënë publike sa nga këto vrasje dyshohet të jenë kryer me pagesë dhe se çfarë përqindje zënë ato në zbulueshmërinë e tyre. Sot nuk ka një regjistër apo statistikë lidhur me vrasjet me pagesë nga institucionet zyrtare. Për këtë qëllim i jemi referuar materialeve të nxjerra nga shtypi i shkruar në 20 vitet e fundit, si dhe intervistave të kryera për këtë studim.
Duhet pranuar se studimet lidhur me “vrasësit me pagesë” janë shumë të pakta edhe në literaturën ndërkombëtare, kjo edhe për vetë natyrën shumë të veçantë të këtij krimi. Sipas fjalorit të Oksfordit, vrasës me pagesë përcaktohet “ai i cili paguhet për të vrarë dikë për qëllime përfitimi, sidomos ekonomik dhe politik”.Megjithatë, ky përcaktim mund të krijojë çoroditje, pasi edhe një pjesëtar i forcave speciale apo një agjent special që vret për interesa shtetërore mund të konsiderohet vrasës me pagesë. Sipas Calhoun (2002), e njëjta tipologji (komanduesi – vrasësi me pagesë – shënjestra) mund të zbatohet si në vrasjet për llogari të shtetit (të ligjshme) ashtu dhe për interesa jo të ligjshme.
Për të shmangur çoroditjen që lidhet me atë se çfarë përcaktohet si “vrasës me pagesë” dhe kategoritë e tyre, ne do t’i referohemi studimit të MacIntyre, Wilson, Yardley dhe Brolan (2014).317 Sipas këtyre autorëve, “vrasës me pagesë është personi që pranon të vrasë dikë për llogari të dikujt, i cili nuk është i njohur publikisht si institucion shtetëror [ose agjenci që vepron në emër të shtetit]”. Tipari dallues i vrasjes me pagesë nga vrasjet e tjera është pikërisht lidhja midis vrasësit dhe shënjestrës.
Ky element, si në pikëpamjen ligjore (lidhja shkakësore e veprës kriminale) ashtu dhe sociale (ndërveprimi midis vrasësit dhe viktimës), është ndër tiparet më dalluese të kësaj vepre kriminale. Pagesa për një vrasje në Britaninë e Madhe shkon nga 15.000 GBP në maksimumi 100.000 GBP.318 Pjesa më e madhe e vrasjeve në Britaninë e Madhe janë kryer me armë zjarri.319 Sipas punimit të Mouzos dhe Venditos, në vitin 2003, në Australi, vrasja më pak e paguar ishte $500, dhe më e paguara rreth $ 100.00. Pagesa mesatare për vrasje luhatej në shifrat prej $16.500 .

Tipologjitë e vrasësve me pagesë në literaturë
MacIntyre, Wilson, Yardley dhe Brolan (2014) kanë përcaktuar katër kategori vrasësish me pagesë: 1)Vrasës fillestarë. Në këtë kategori bëjnë pjesë ata vrasës që kryejnë një krim për herë të parë dhe nuk kanë përvojë. 2)Vrasës amatorë. Ky, në ndryshim nga i pari, ka njëfarë përvoje, por nuk ka një profil kriminal. Pra, përveç vrasjeve me pagesë nuk ka kryer tjetër veprimtari kriminale. Për rrjedhojë, kjo kategori vrasësish ka lidhje të kufizuara me botën e krimit, gjë që ia vështirëson shtënien në dorë të armëve dhe eksplozivit. Amatorët pranojnë kontrata për të mbuluar problemet e tyre financiare, por nuk e kanë vrasjen me pagesë profesion të parë. Vrasësit amatorë në përgjithësi kryejnë një ose dy vrasje me pagesë. Ata mund t’i kryejnë këto vrasje edhe për të rritur reputacionin e tyre në botën e krimit. Në ndryshim nga “profesionistët”, amatorët nuk e kanë vrasjen me pagesë mjet pune, por e bëjnë atë për një çështje specifike. 3) Vrasës me përvojë. Në këtë kategori bëjnë pjesë vrasës që nuk shquhen për ndonjë aftësi të rrallë, por që kanë një përvojë të gjerë vrasjesh. Ata njihen dhe kanë lidhje me botën e krimit. Zotërojnë burime të mjaftueshme armësh dhe eksplozivësh. Policia mund t’i zbulojë duke përdorur burime lokale në zonat ku banojnë. Forma e vetme e jetesës është thjesht nëpërmjet veprimtarisë kriminale, dhe vrasja me pagesë nuk është e vetmja veprimtari e tyre. 4) Vrasës profesionistë (specialistë). Në këtë kategori bëjnë pjesë në përgjithësi individë me një karrierë ushtarake në forcat speciale apo në forcat e policisë. Kjo kategori është kontingjenti më i vështirë për t’u zbuluar, pasi nuk kanë lidhje me zonën ku kryejnë krimin. Janë gjithmonë në lëvizje dhe janë shumë të aftë të fshehin gjurmët. Vrasësi profesionist e konsideron vrasjen si profesion dhe si mjet pune. Ata zakonisht janë anëtarë të një organizate kriminale ose veprojnë te vetmuar.
Konteksti shqiptar dhe fazat nesër në shkrimin e rradhës…..
Bazuar mbi studimin me titull “Vlerësim i Riskut të Krimit të Organizuar në Shqipëri”, të autorëve F. Zhilla dhe B.Lamallari
