Grupi hetimor që po merret me aksidentin masiv që ndodhi paraditen e djeshme në Tiranë ka sekuestruar kartelat mjekësore të 63-vjeçarit Agron Xhafa, i cili drejtonte urbanin që u përplas me të paktën gjashtë makina. Gjithashtu, në pyetje po merren 40 pasagjerët që ndodheshin në autobus në momentin e përplasjes. Paraprakisht raportohet se një pjesë tyre, me dëshmitë e dhëna, kanë mohuar që shoferi të ketë shfaqur probleme shëndetësore në momentin që ka ndodhur aksidenti.
Vetë Xhafa ka deklaruar se nuk ndodhej në gjendje të mirë në momentin e aksidentit pasi vuan nga zemra dhe diabeti. 63-vjeçari është vënë në pranga, por nuk përjashtohet dhe mundësia që shkak për aksidentin të jetë bërë një defekt teknik i autobusit të linjës “Unaza”. Nga aksidenti i djeshëm u plagosën nëntë persona, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

