Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ishte në Shkodër për të bërë thirrje që të votonin kandidatët e tij në zgjedhjet lokale të 14 majit. Por ngatërroi “ngjyrat” e përkatësisë së tij politike. Në fjalën e tij, Alibeaj tha se në krahasim me kryedemokratin Sali Berisha dhe kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama duket me të vërtetë një alternativë. Me pak fjalë, po orienton ato pak qytetarë që i ndjekin takimet e tij që të shohin kryeministrin Edi Rama me një sy tjetër, më optimist, ashtu siç ndoshta e sheh vetëm Alibeaj.
“Edi Rama thotë vetëm përpara, kurrë mbrapa. Mesazhi i tij në fakt duket i vërtetë vetëm kur njerëzit e krahasojnë kryeministrin e vendit dhe qeverisjen e tij, qeverisjen skandaloze të tij, kur e krahasojnë me Berishën dhe Metën, të cilët janë regres absolut. Edhe subkoshienca u ka folur. Vetëm ekzistenca politike për 33 vite e Berishës dhe Metës e bën Ramën që të duket si një alternativë,”-tha Alibeaj.
Më në fund, Enkelejd Alibeaj i ka dhënë fund vetë aludimeve që ka një bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama, duke i dalë në krah në këto zgjedhje lokale; ndërsa Rama nga ana tjetër ka zgjedhur që gjatë gjithë fushatës të mos e përmendë kurrë në asnjë moment, por të merret vetëm me Berishën e Metës që në asnjë moment gjatë gjithë sesionit parlamentar nuk iu referua si opozitë. Por në zgjedhje ka vendosur që të jetë përballë tyre, tek e fundit, Alibeajn e paska në krah.