Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dënoi deklaratën e Edi Ramës, i cili tha se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk ka kuptim pa Serbinë. Nga Valiasi i Kamzës ku zhvilloi takimin elektoral me qytetarët, Berisha tha se Rama është argat i Beogradit dhe se përfaqëson interesa antikombëtare.
“Edi Rama vetëm për maskuar vjedhjet e tij, vetëm për të larguar nga vëmendje dramën që u ka krijuar ju dhe shqiptarëve të Shqipërisë, është i gatshëm të marrë edhe lëkurën e gomarit e të vë dhe zorrë rreht qafe në mënyrë të mos diskutojmë bashkë për këto që u ka krijuar qytetarëve. Ky zotëri që vjen tek ju, me një fjalor ordineri, në mediat e huaja, sapo ka deklaruar se, nuk ka kuptim Shqipëria në BE, pa Serbinë. Shikoni çfarë antishqiptari është ky, çfarë argati i shpifur i Beogradit.
Serbia e ka të lidhur fatin me Rusinë dhe ky na lidh pas bishtit të Serbisë ne dhe merrte një përgjigje shembullore nga një shtetar evropian; të dëgjosh kryeministrin e Shqipërisë që thotë se nuk ka kuptim anëtarësimi i vendit të tij në BE pa Serbinë, kjo është habia e kohës. Nuk ka interesa shqiptare. Ka absolutisht interesa antikombëtare. Nuk do të ndalemi këtu, sepse ju e keni shumë të qartë se çfarë përfaqëson ai për veriun. Unë u them ju, se pas Car Dushanit, Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku më i egër në të gjithë shekujt për veriun. Nuk ka njeri që ka urryer veriun dhe veriorët si Edi Rama. Një racist i shpifur dhe natyrisht racizmi i tij ndaj veriut ka rrënjë kryekëput antishqiptare”, deklaroi kreu i PD.
Miqtë e mi! Rivendosja e pluralizmit në qeverisjen vendore me 14 maj, hap dyert për largimin e shpejtë, të pashmangshëm të Edi Ramës nga pushteti. Dhe ai e ndjen, ai e di, ai dridhet nga kjo. E di se ka kryer krime monstruoze, ka bërë vjedhje të paimagjinueshme. E di gjithashtu se e pret gjykata federale Amerikane në Uashington, dhe se ajo gjykatë atë dënim që do ti japë McGonigalit për tradhti të SHBA-së do ti japë dhe Edi Ramës, si ryshfetdhënës i McGonigal. E ka shumë të qartë këtë, por ne do të bëjmë gjithçka që para se të shkojë atje, të shkojë aty ku e meriton në Shqipëri njëherë. Po, po. Ndaj dhe shkel çdo ligj, ndaj dhe thotë Kodi Zgjedhor është kinezëri, kushtetuta është letër e vdekur. Skapin e ka në xhep, por 14 maji i jep fund pushtetit të tij monist. Në 14 maj flisni ju, flasin qytetarët. Pushteti juaj vendoset në piedestal dhe ne rikthejmë pluralizmin politik në Shqipëri. Edhe njëherë ju bëj thirrje të marrim të gjithë pjesë në votime,”-tha Berisha.

