Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se kryeministri Edi Rama është nën hetim nga autoritetet amerikane pas arrestimit të ish-agjentit të FBI Charles McGonigal, i cili akuzohet se ka ndihmuar një oligark rus dhe ka marrë ryshfet nga një person në Shqipëri. Në një postim në faqen e tij në Facebook, Berisha thotë se eksponenti i arrestuar i FBI-së është këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Berisha shprehet se që në shtator të vitit të kaluar, juria kishte urdhëruar të hetohej çdo lidhje, pagesë, e-mail, mesazh e telefonatat e tij me Edi Ramën.
Ish-agjenti kryesor i FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, miku i kryeministrit Edi Rama është vënë në pranga bashkë me një ish-diplomat rus, Sergey Shestakov, 69 vjeç, pasi akuzohen për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë. Mediat shkruajnë se pas largimit nga FBI, McGonigal u përpoq të ndihmonte oligarkun Oleg Deripaska në mënyrë që ta linte jashtë listës së të sanksionuarve. Prokurorët në Gjykatën federale në Uashington kanë dalë në përfundimin se McGonigal ka pranuar dhe ka marrë 225 mijë dollarë cash gjatë kohës që punonte në FBI nga një person që kishte interesa biznesi në Evropë, i cili kishte qenë edhe punonjës në shërbimin e inteligjencës në Shqipëri.

