Briken Sanaj, 39-vjeçari i cili u ekzekutua me tre plumba kallashnikovi brenda rezidencës tek Kodra e Diellit mbrëmjen e të dielës mësohet se ka pasur konflikte të mëparshme dhe pista kryesore ku po heton policia është hakmarrja.
Ai është i dyshuar për një plagosje, dhe ka pasur disa identitete.
Krimi ka ndodhur në një orë kur zona ka qenë e populluar dhe janë bërë dëshmitarë të krimit.

Banorët e rezidencës kanë treguar se e njihnin me emra të ndryshëm.
Dëshmitarë të krimit mësohet se janë bërë dhe dy shokë të Briken Sanajt të cilët po e prisnin viktimën për t’u takuar, të cilët kanë dëshmuar në polici më pas për atë që kanë parë. Shokët e Sanajt kanë deklaruar se kanë qenë dy persona autorët të cilët janë larguar me një automjet që i priste në kodër jashtë rezidencës tek Kodra e Diellit.
KRIMI
39-vjeçari sapo kishte parkuar makinën në garazh dhe më pas kishte takuar disa miq të tij. Në këtë moment, autorët i janë afruar me makinë dhe kanë qëlluar në drejtim të tij.
Në mjetet e identifikimit të gjetura tek viktima, mbajnë emrin Briken Sanaj, ndërkohë roja i rezidencës ku jetonte 39-vjeçari, thotë se ai njihej me emrin Anton Gjini.

