Amar (Dritan) Shkëmbi, është arrestuar një ditë më parë nga Policia në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe për të po përgatitet ekstradimi në Shqipëri. Burime për Report Tv kanë bërë me dije se Shkëmbi është mbajtur në vëzhgim për 2 javë nga autoritetet vendase. E më pas, në momentin e prangosjes së tij, ka bërë rezistencë dhe ka qenë pa mjet identifikimi me vete.
Pas kësaj është shoqëruar për verifikim dhe pas krahasimit të shenjave të gishtave është verifikuar se kishin të bënin me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në Shqipëri në 1 nëntor 2019. Por duke qenë se Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë ende një marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë, sjellja e tij në vendin tonë mund të bëhet vetëm me një vendim të gjykatës në Emiratet e Bashkura Arabe.
“Sipas burimeve nga policia, ekziston një marrëveshje ekstradimi në bazë të disa konventave ndërkombëtare, të cilat mund të interpretohen nga gjykata atje për t’i dhënë dritën jeshile ardhjes së Shkëmbit në Shqipëri,“-shkruhet në artikull.
Prej më shumë se 1 muaji autoritetet tona kanë njoftuar ato të Emirateve, pasi e kanë lokalizuar vetë që këtu përmes informacioneve të kanë mbledhur.
Amar (Dritan) Shkëmbi akuzohet se është përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, si dhe u plagos vetë prokurori e miku i tij Aleksandër Laho i njohur si ‘Rrumi’. Roli i Shkëmbit në atentatin e realizuar më 1 nëntor të vitit 2019 u zbardh pasi dolën bisedat e zhvilluara mes anëtarëve të grupit në aplikacionin ‘Sky’. Të parët që kanë nisur punët për të krijuar kushtet për të realizuar atentatin, duket se janë Julian Meçaj, Amar Shkëmbi dhe Endrit Sinani, i njohur me pseudonimin “Diqo”, një lidhje ky e afërt me Amar Shkëmbin.
Në përgjime evidentohen edhe takimet që pjesëtarë të grupit kanë kryer kohë pas kohe me Redjan Rrajën, siç janë edhe ato që ky i fundit realizonte në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, me Amar Shkëmbin. Përgjimet hedhin dritë edhe në ndjekjen për katër ditë me radhë që grupi i përcaktuar, i kishte bërë makinës së prokurorit Ndoji, deri ditën e goditjes finale./Report Tv

