Pas ngjarjes së 29 janarit ku atentati i mirëorganizuar i mori jetën Devi ( Defrim) Kasmit fare pranë spitalit të Pediatrisë në kryeqytet, policia arriti të bie në gjurmët e atentatorit dhe pas 4 ditësh arrestoi ish specialin e policisë Greke Efthymiou Efthymious 42-vjeç.

Ndonëse vijon të shkruhet se vrasja kishte si motiv një sherr banal mes tij dhe Kasmit në palestrën e këtij të fundit, historia i ka rrënjët më të thella në përplasjen mes grupeve rivale të Tiranës.

Krahas luftës për territor në trafikun e drogave të forta ajo që bie në sy është se në ngjarje janë të përfshirë vëllezërit Hoxhallari.

Njëri prej tyre Aurel Hoxhallari i cili njihet dhe me emrin Altin të ndryshuar së fundmi është dhe koka e grupit kriminal që prej vitesh është një ndër furnizuesit më të fuqishëm të vrasësve me pagesë në kryeqytet.
Drejtori i policisë së Tiranës lajmëroi kapjen e të gjithë anëtarëve të grupit të strukturuar mes tyre dhe vëllain e tij Elton Hoxhallari por për Aurelin u mjaftua me: “U shpall në kërkim”
Historia e fisit Hoxhallari nis disa vite më parë. Në skedarët e policisë djali i madh Aurel Hoxhallari ishte fillimisht trafikant i lëndëve narkotike kryesisht hashash të cilën e shpërndante në Durrës por edhe Kavajë.
Pas vitit 2010 nga të dhënat e policisë Aurel Hoxhallari zhvillon disa udhëtime jashtë, kryesisht në vende të Bashkimit Evropian si Spanjë dhe Holandë. Ndonëse nuk ka shumë të dhëna mësohet se gjatë qëndrimit të tij jashtë Shqipërisë aktivitet kryesor i Hoxhallarit ka qenë trafiku i drogave të forta.
Në fillim të vitit 2014 Aureli banues në zonën e Yzberishtit u arrestua në Kavajë për armëmbajtje pa leje, pasi në automjetin e tij u gjet një pistoletë ‘Glock’. Për këtë rast gjykata i dha disa muaj burg.
Pas vendimit ai largohet sërish jashtë vendit dhe rikthehet më 28 dhjetor të vitit 2014 për të organizuar atenatin ndaj Pajtim Serjanit i njohur dhe si mik i Emiljano Shullazit. Edhe në këtë rast lidhja ishte mjaft e qartë, kontrolli në trafikun e narkotikëve.

Ngjarja ndodhi më 5 janar kur vrasësi me pagesë Artur Baze i njohur dhe si Arianit Sterio ishte kontraktuar nga kushërinjtë Aurel dhe Elton Hoxhallari për të eleminuar Serjanin.

Në atë kohë gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur dhe një efektiv i forcave operacionale Roland Meta.
Nga të dhënat e policisë dhe prokurorisë për ngjarjen e 3 viteve më parë dështimi i vrasësit me pagesë ishte se në momentin e ekzekutimit, atij nuk i shkrepi arma. Edhe nga dëshmitë e dhëna në polici nga të plagosurit Serjani dhe Meta, në momentin që Sterio tentoi të qëllonte, arma e zjarrit nuk iu përgjigj. Kaq mjaftoi që efektivi ta qëllonte atë për vdekje. Kushërinjtë Hoxhallari u arrestuan dhe dosja shkoi tek krimet e rënda.

Në po të njëjtën ditë disa minuta më vonë tek mbikalimi i Kasharit në segmentin që të con drejt Aereoportit Nënë Tereza ndodhi dhe një tjetër shkëmbim zjarri.
Kësaj here shënjestër ishte një emër i njohur për policinë, Emiljano Shullazi. Ai shoqërohej nga miku i tij Gilmando Dani kur u qëllua me brëshëri automatiku.

Shullazi mbeti i plagosur me një plumb në shpatull por dyshimet e hetuesve flisnin për të njëjtin porositës, Aurel Hoxhallari. Në atë kohë dosja shkoi tek Prokuroria e Tiranës por kjo e fundit e delegoi tek krimet e Rënda me shpresën se do të bëhej diçka, por dyshimet se edhe në këtë rast grupi kriminal i Hoxhallarit kishte tentuar eliminimin e Shullazit nuk u arrit të bëhej. Ndonëse për kushërinjtë gjykata caktoi 30 ditë burg ata u lanë të lirë për mungesë provash.

Në këtë fazë kur në bazën e të arrestuarve u gjet një arsenal armësh, hetuesit dyshojnë se skemat e planifikuara për eleminimet e kundërshtarëve, kryesisht për trafikun e narkotikëve dhe territoret jane te sofistikuara dhe nuk kane aspak lidhje me ngjarje te rastit apo banale. SOSNEWS

