Pas caktimit te masës së sigurisë arrest me burg për 39 të arrestuarit e akuzuar për kontrabandim personash me qëllim emigrimin drejt SHBA-ve, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar të tjera detaje dalin në dritë dhe shumë pyetje shtrohen për faktin se si janë favorizuar nga institucionet ligjzbatuese ndër vite këta persona një pjesë e të cilëvë janë të skeduar apo të dënuar në këtë veprimtari kriminale që prej 15 vitesh.
Një prej drejtuesve të grupit kriminal është Ardian Corri një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare dhe i dënuar në vitin 2008 me 11 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda pasi ishte bashkë drejtuesi i një rrjeti kriminal të dërgimit të emigrantëve me gomone ose në rrugë tokësore jashtë territorit shqiptar.
Corri 49 vjeç me origjinë nga Kruja dhe vendbanim në Tiranë me 22 Shtator të vitit të shkuar në kuadër të planit i masave “Vjeshtë 2017” nga Policia e Shtetit iu sekuestruan dy pasuri të paluajtshme një apartament 100 m2 dhe një dyqan me 80 m2 tek rruga “Mahmut Fortuzi” pranë lapidarit të “Vojo Kushit”, si dhe një automjet i shtrejntë, pasuri të cilat sipas njoftimit të policisë së asaj kohe ishin rrjedhoje e veprimtarisë kriminale.
Por për çudi të të gjithëve pasuritë që policia i shiti në publik si të sekuestruara për shkak të orgjinës kriminale një muaj më vonë u lanë të lira. Me vendim gjykata apo jo ,kjo ende nuk dihet.

Në nëntor të vitit 2017, në ambjentet e dyqanit që më parë ishte përdorur si magazinë u investua një sasi e konsiderueshme parash në ndërtimin e një lokali luksoz madje deri në zgjerim në ambjentet publike. Gjithashtu dhe apartamenti dhe shtëpia u liruan në rrethana të paqarta.
6 muaj pas sekuestrimit të dështuar të pronave , Policia e Shtetit u kujtua sërish për Ardian Corrin.Këtë herë ishte vetë drejtori i policisë së Shtetit Ardi Veliu që në një deklaratë për median bëri publike se Corri ishte një nga 39 të arrestuarit në kuadër të një operacioni ndërkombëtar me pjesmarrjen e Amerikanëve pasi kishin mundësuar kontrabandimin e rreth 1 mijë personave (shtetas shqiptarë) në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar, ShBA-ve dhe Kanadasë. Corri sipas policisë ishte drejtues i një prej 7 grupe të strukturuara kriminale, të cilat operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Britani, Irlandë, ShBA e Kanada.

Megjithëse mjeti tip “Range Rover’ i Corrit rezultoi pozitiv (i vjedhur) në sistemin e Interpolit , 49 vjeçarri arriti ta merrte sërish.
Por le ti kthehemi historisë së dënimit të parë të Ardian Corrit ku sëbashku me Agim Sufajn 48 vjeç dhe 11 persona të tjerë në janar të vitit 2008 në tentativën për transportuar me gomone drejt Italisë 44 persona i hodhën në det të hapur duke iu rrezikuar jetën pasi u pikasën nga policia.

Gazeta Panorama në një shkrim të datës 28 Prill të reporteres Etleva Delia sqaron të plotë mënyrën se si funksiononte grupi dhe emrat e personave të përfshirë ku vlen të veçohet Gëzim Tafaj 48 vjeçari që u arrestua sërish në vitin 2017 “Në kuadër të operacionit policor “Permeso” si pjesë e një grupi falsifikatorësh në Tiranë.

28 Prill 2011 -Gazeta Panorama/ Grupi i trafikut hodhi në det të hapur 44 klandestinë
TIRANE – Grupi kriminal, ku akuzohet se bënte pjesë edhe Agim Sufa, është hetuar për disa muaj me radhë nga policia shqiptare me anë të metodave speciale të hetimit.
Përgjimet kanë nisur fillimisht ndaj dy pjesëtarëve të grupit, të cilët drejtonin mjetet që trafikonin klandestinët, Ardian Corri dhe Gëzim Tafaj. Gjatë hetimeve, është zbuluar se grumbullimi i personave që paguanin paratë, kryesisht një shumë nga 3500-3900 euro, ishte Zogu i Zi në Tiranë.
Të interesuarit transportoheshin nga qytete të ndryshme të vendit, me makina kryesisht me targa të huaja, që përdornin organizatorët e trafikut dhe më pas tek Zogu i Zi hipnin në furgonët që i transportonin në drejtim të Laçit, Lezhës dhe Malësisë së Madhe. Më pas vendosej nëse klandestinët, kryesisht të moshave të reja, adoleshentë dhe të rinj, do ta kalonin ilegalisht kufirin në rrugë tokësore, duke kaluar nga Mali i Zi, në Kroaci, Slloveni e më pas në Udine të Italisë, apo me gomone nga Lezha drejt Italisë.
Një ndër episodet e përgjuara nga oficerët e policisë dhe që mund të kishte rezultuar fatal për jetën e klandestinëve, ka qenë rasti i hedhjes në det të hapur të 44 personave, pasi trafikantët që drejtonin gomonet drejt Italisë ishin zbuluar nga policia. Nga vendimi i gjykatës rezulton se më datë 10 janar 2008, rreth orës 20:00 në grykëderdhjen e lumit Mat është nisur një gomone në drejtim të shtetit italian. Për të siguruar dhe organizuar këtë udhëtim me skaf nga plazhi i Patokut (grykëderdhja e lumit Mat) në drejtim të Italisë, sipas organit të akuzës kanë bashkëpunuar të akuzuarit Ardian Corri, Gëzim Tafaj, Dilaver Hajdini, Lek Frroku, Ardian Marku, Altin Gjeloshi, Ndrek Preçi, Paulin Marku, Pjetër Tusha, (Agim Sufa për të cilin janë ndarë materialet).
Ata kanë siguruar 44 persona, kundrejt një shumë prej 3900 euro për çdo shtetas, sipas një marrëveshjeje të mëparshme dhe është realizuar nisja e gomones, e gjatë dhjetë metra dhe me dy motorë të fuqishëm. Kalimi i paligjshëm i tyre nuk u realizua, pasi u penguan në det nga Guardia di Finanzia e, për rrjedhojë, gomonia është kthyer mbrapsht, duke hedhur në afërsi të bregut të detit shtetasit që do iknin në drejtim të Italisë. I sinjalizuar për ngjarjen, por e vënë në dijeni edhe nga bisedat telefonike që të akuzuarit kryenin me njëri-tjetrin, policia ka mundur të shkojë në kohë të shpejtë drejt vendit të ngjarjes, duke shoqëruar të gjithë klandestinët, të cilët janë marrë në pyetje në Komisariatin e Policisë së Lezhës.
Ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes nuk është bërë e mundur, për shkak të errësirës, por vetëm është kryer fotografimi i gomones. Ndërsa policia është rikthyer të nesërmen në orët e para të mëngjesit në vendin ku u hodhën klandestinët, duke kryer të gjitha procedurat e nevojshme hetimore.
SOSNEWS.AL

