Pas një prej operacioneve më të mëdha ndërkombëtare ku në fokus ishte goditja e rrjeteve kriminale të shtrira në disa shtete, në përbërje të së cilës ishin edhe zyrtarë të lartë të Shqipërisë, bizneset me thirrje telefonike janë goditur sërish.
Dje, Policia e Tiranës dhe njëherësh edhe Prokuroria e kryeqytetit kanë bërë me dije se ata kanë mundur të godasin aktivitetin e 15 bizneseve të tilla, duke lëshuar edhe 15 masa sigurimi arrest me burg. Shifra e mashtrimit me anë të këtyre qendrave që quhen “Call Center”-a i kalon 5.7 milionë euro, ndërkohë që personat e akuzuar janë konkretisht 9 shtetas italianë dhe 6 shtetas shqiptar.
Po si gjithnjë, dhe në të gjitha rastet, kur bëhet fjalë për persona që kanë funksionuar si organizatë apo grup kriminal, edhe kësaj herë të gjithë të hetuarit e sektorit të hetimit doganor dhe të prokurorisë nuk janë gjetur nëpër banesa, veç një personi të vënë në pranga.
E përveç këtij fakti, policia dhe prokuroria kanë publikuar edhe inicialet e të gjithë personave që do të arrestohen, të dhëna që i janë shpërndarë ditën e djeshme medias në formën e një operacioni të suksesshëm të të gjithë sektorëve të përfshirë në hetim.
DETAJET E ÇËSHTJES
Vendi jonë duket se ofron terrenin më të përshtatshëm për ngritjen e bizneseve “Call Center” që funksionojnë si skema mashtruese ku përfitohen me miliona euro nga zyra thirrjesh telefonike. Në operacionin e fundit të Policisë së Tiranës janë identifikuar 15 subjekte, që kryenin transferta parash drejt Shqipërisë, me vlerë totale rreth 5 milionë euro.
Gjykata caktoi masa sigurie për 15 shtetas, nga të cilët 9 italianë dhe 6 shqiptarë. Ata akuzohen për “Fshehjen e të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Nga të dhënat e disa institucioneve ligjzbatuese në vend rezulton se në qendër të veprimtarisë së këtyre shtetasve është ushtrimi i “brokërimit”, i kamufluar pas aktivitetit “Call Center”, ku janë të përfshirë disa operatorë ekonomikë që operojnë në vendin tonë, të cilët synojnë përfitimin e paligjshëm me vlera të konsiderueshme nëpërmjet mashtrimit të shtetasve të huaj.
Në vijim të veprimeve hetimore të deleguara nga oficerët e Sektorit të Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë se Përgjithshme të Tatimeve për këto “Call Center”-a të dyshimtë ka rezultuar se në llogaritë bankare të 15 subjekteve me fushë operimi “Call Center” janë transferuar vlera të konsiderueshme monetare, të cilat më pas janë tërhequr cash, duke iu fshehur destinacioni përfundimtar.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës për ekzekutimin e masave të sigurisë, si rezultat i verifikimeve të kryera në sistemin TIMS, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, ka rezultuar se 9 italianë dhe 1 shqiptar, nuk ndodhen në Shqipëri. Ndërkohë, nga kontrollet e kryera në banesat e shqiptarëve të përfshirë në këtë skemë, shërbimet e Policisë kapën dhe ndaluan vetëm një 30-vjeçar.
Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e 4 shqiptarëve të tjerë, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”. Paralelisht me kontrollet hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të skemës.
TË DHËNAT E PROKURORISË
Dje, menjëherë pas Policisë së Tiranës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, bëri me dije se ka regjistruar procesin penal nr.3230, viti 2022, për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik” dhe “Fshehjes se te ardhurave”, parashikuar nga neni 143/b e 180 i Kodit Penal. Në të njoftohej se:
“Nga të dhënat e disa institucione ligjzbatuese në vend rezulton se në qendër të veprimtarisë së 15 shtetasve është ushtrimi i ‘brokërimit’ e kamufluar pas aktivitetit ‘Call Center’, ku janë të përfshirë disa operatorë ekonomikë që operojnë në vendin tonë, të cilët synojnë përfitimin e paligjshëm me vlera të konsiderueshme nëpërmjet mashtrimit të shtetasve të huaj.
Po kështu në vijim të veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal janë referuar materiale në lidhje me veprimtarinë e paligjshme te disa subjekteve me aktivitet në fushën e ‘Call Center’-ave nga ana e Policisë Gjyqësore të Sektorit të Hetimit Tatimor pranë DP-së të Tatimeve, të cilat nga informacioni i dërguar nga të dhënat e tyre, janë evidentuar me aktivitet të dyshimtë.
Ne vijim te veprimeve hetimore të deleguara nga oficerët e Sektorit të Hetimit Tatimor ka rezultuar se në llogarite bankare të 15 subjekteve me fushë operimi ‘Call Center’: Janë transferuar vlera të konsiderueshme monetare, të cilat më pas janë tërhequr cash, duke iu fshehur destinacioni përfundimtar”.
ANALIZIMI
Nga analizimi i gjithë veprimeve hetimore rezultoi si më poshtë:
1. Administratorët e subjekteve “Call Center”, shqiptarë dhe të huaj kanë vepruar në kundërshtim me ligjin;
2. Subjektet kanë qarkulluar vlera monetare, të cilat nuk janë raportuar si e ardhur në organet tatimore duke shmangur kështu dhe përllogaritjen dhe pagimin e detyrimeve tatimore;
3. Një sjellje e tille në kundërshtim me ligjin i bën këto persona subjekte të Ligjit Penal;
4. Pra, sa më lart, rezulton e provuar që shtetasit të cilët kanë ndërmarrë veprime financiare në emër dhe për llogari të këtyre shoqërive, një pjesë e të cilave janë të ndërlidhura dhe të ndërvarura nge njëra-tjetra, të jenë pjesë e së tërës, të krijimit dhe funksionimit të një skeme të mirëmenduar me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore të subjekteve të ndryshme ose mbulimin e veprimtarive ekonomike të jashtëligjshme.

