Drejtori i policisë së Gjirokastrës, Lorenc Panganika akuzohet nga familjarët e një 59 vjeçari se ka shkaktuar një aksident duke e përplasur me makinën e tij dhe është larguar nga vendngjarja.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës në aksin Levan-Tepelenë, ku sipas familjarëve të të aksidentuarit Axhem Mërtiri, drejtori i policisë ka qenë duke lëvizur me një automjet privat foristradë, ngjyrë të bardhë.
Por policia është mjaftuar që në komunikatën zyrtare të japë vetëm një informacion sipërfaqësor mbi rastin në fjalë.
Njoftimi i policisë :
” Seksioni i hetimit të ngjarjeve në qarkullimin dhe AIS
Më datë 26.09.2016, në aksin rrugor Levan -Tepelenë, në fshatin Lulëzim, një mjet ka aksidentuar shtetasin A.M, vjeç 59, banues në Lulëzim, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Nenet 290/1 dhe 273 të Kodit Penal ”
Në rast se denoncimi i familjarëve të Axhem Mërtirit rezulton i vërtetë, kryepolici i Gjirokastrës, ka kryer dy vepra penale, atë të aksidentit me pasoja dhe largim nga vendngjarja e aksidentit që dënohen me burg.
/sosnews
