Studimi i ekspertëve Fabian Zhilla dhe Besfort Lamallari nxjerr në pah se thuajse në të gjitha qytetet kryesore të vendit ka grupe të strukturuara kriminale të cilat kanë kontroll territori dhe të cilat janë fokusuar kryesisht në trafikun e narkotikëve, gjobëvënien dhe mbledhjen e borxheve. Sipas gjetjeve të mbështetura në intervistat me ekspertë dhe njohës të krimit të organizuar në nivel lokal. Studimi bën një përshkrim të disa prej organizatave kriminale më të fuqishme që veprojnë aktualisht në disa nga qytetet kryesore të vendit.Ky studim pasqyron gjithashtu një panoramë të situatës aktuale kriminale deri në vitin 2015 duke evidentuar organizimet kriminale më problematike në qytetet kryesore të vendit.
Më poshtë përmbledhtazi përshkrimi i situatës në 7 qarqe të vendit.
TIRANË
Në qytetin e Tiranës aktualisht mendohet të veprojnë të paktën 3 organizata kriminale shumë të fuqishme të strukturuara të cilat kanë një shtrirje kohore të aktivitetit kriminal të hershëm dhe të cilat kanë arritur ti rezistojnë kohës për shkak të sofistikimit dhe lidhjeve të tyre me biznesin dhe segmente të korruptuara të shtetit. Organizata e parë diskutohet ti ketë fillimet që në vitin 1994 dhe objekti kryesor i aktivitetit të saj është pastrimi i të ardhurave kriminale të mafies ndërkombetare. Organizata e dytë dyshohet të ketë të paktën 27 anëtarë dhe ka si objekt kryesor trafikun e narkotikëve, gjobëvenien dhe mbledhjen e gjobave për të tretët. Organizata e tretë hamendësohet të jetë më pak në numër dhe më pak aktive por me investime të rëndësishme në fushën e minerareve.
SHKODËR
Dyshohet që në qytetin e Shkodrës të veprojnë të paktën 4 “familje”8 të mëdha të cilat janë përfshirë në aktivitete kriminale. Të 4 “familjet” janë të përfshira kryesisht në trafikun e narkotikëve, armëve dhe qenieve njerëzore. Nga ekspertët hamendësohet se Shkodra mund të jetë “hambari” i ardhshëm i rritjes së kanabisit dhe ky ndryshim për pasojë, mund të sjelli forcimin e metëjshëm të këtyre organizatave kriminale. Ky fuqizim mund të rrezikojë rëndë stabilitetin e kësaj zone duke pasur parasysh ekuilibrat e brishta sociale në këtë rreth.
DURRËS
Në qytetin e Durrësit diskutohet që të kenë investime shumë grupe kriminale të cilët vijnë nga i gjithë vendi, dhe ky qytet shërben deri diku edhe si pikë takimi apo edhe strehimi për shumë prej tyre. Mendohet që në Durrës aktualisht të jetë ri-aktivizuar një organizatë kriminale e cila drejtohet nga individë më precedentë të mëparshëm penal. Hamendësohet gjithashtu se në qytetin e Durrësit prej kohësh vepron një “familje” e njohur në botën e krimit dhe me influencë jo vetëm në aktivitete tregtare por dhe aktivitete sociale.
VLORË
Karakteristikë e grupeve kriminale të qytetit të Vlorës është se në dallim nga grupet të cilat ishin aktive në vitin 92-99 (Zani Caushi, Kakami, Gaxhai etj), nuk ka më territore të ndara. Vihet re që vrasjet në qytetin e Vlorës janë të shumta dhe këto vrasje në përgjithësi nuk janë për cështje territori por për zonat e influencës në rrjetet ndërkombëtarë të narkotikëve dhe armëve në vëndet e BE kryesisht në Spanjë dhe Itali.
FIER
Organizatat kriminale që veprojnë në qytetin e Fierit sipas shumicës së të intervistuarve, mendohen të jenë ndër organizatat më të sofistikuara dhe më të qëndrueshme në të gjithë historinë e tranzicionit politik në Shqipëri. Hamendësohet se grupet kriminale në Fier, në ndryshim nga qytetet e tjera bazohen jo vetëm në lidhje gjaku dhe shoqërore por mbi të gjitha në lidhje komunitare (psh. komuniteti kosovar dhe cam). Mendohet se kohëve të fundit eksponentë të lartë të krimit të organizuar me precedente kriminalë dhe të njohur si drejtues organizatash kriminale në vëndet e BE (Greqi, Itali, Belgjikë dhe Spanjë) kanë investuar në këtë qytet të ardhurat e tyre kriminale dhe mendohet se po zgjerojnë ndjeshëm influencën e tyre edhe pranë partive politike, sidomos atyre të vogla.
BERAT
Qyteti i Beratit mendohet të jetë një qytet ku krimi i organizuar ka investuar për një kohë të gjatë dhe vazhdon të jetë aktiv. Dyshohet se organizatat kriminale në këtë qytet janë kryesisht lokale të mbështetura në lidhje të forta familjare dhe shoqërore. Flitet se në këtë qytet kanë influencë të paktën 3 “familje” me precedentë të fortë kriminalë.
ELBASAN
Vrasjet e shkurtit të vitit 2016, treguan se qyteti i Elbasanit vazhdon të mbetet një pikë e nxehtë ku aktiviteti i krimit të organizuar vazhdon të jetë prezent edhe pas shkatërrimit të dy bandave famëkeqe të “Mandelës” dhe “Tan Kateshit”. Një trend i rrezikshëm që po vërehet në këtë qytet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth. Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet që të kemi zhvendosje të organizatave kriminale me struktura hierarkike në zonat rurale.
Pjesë nga Studimi Evoluimi i strukturave të organizuara kriminale në Shqipëri 1990-2015
