Gjithçka ka pasuar arratinë e shqiptarit të akuzuar për përdhunime në shtetin fqinj, ku ai bashkë me familjen e tij jetonte, ka tronditur opinion publik në të dyja vendet.
Spartak Dyrmishi, ndonëse prej 9 ditëve ka qenë një prej personave më të kërkuar të Policisë dhe Interpolit për llogari të Greqisë, veprat e tij kanë bërë që shteti grek të investohet drejtpërdrejt me anë të dy ministrave të qeverisë për ta prangosur të kërkuarin e tyre. Ata i kishin të dhënat e sakta që ai kishte hyrë në territorin tonë e për pasojë u kërkua me çdo kusht arrestimi i tij, arrestim, ose më saktë dorëzim, i cili ndodhi orëve të para të së djeshmes.

Policia jonë i dha detajet e përcjelljes së të shumëkërkuarit dhe dorëzimit në duart e Policisë greke duke iu bërë me dije homologëve grek se shqiptari i penduar ka kërkuar vetë të dorëzohet pikërisht tek policia që e kërkonte.
Po ndërkohë që emri, portreti dhe profili i tij prej përdhunuesi serial ka pushtuar mediat vendase, ai ditën e djeshme ka pohuar edhe gjendjen e tij të rënduar për shkak të përdorimit të drogës dhe të alkoolit, duke iu bërë me dije grekëve të hetimit se gjithçka e ka kryer nën efektet e tyre.
Por ajo që e bën edhe më të rëndë historinë e Dyrmishit është falja publike që ka kërkuar e ëma e tij për të, e cila ka thënë se në fakt i biri para se të largohej nga shtëpia e kishte dhunuar atë fizikisht.
E ËMA
Nëna e 45-vjeçarit nga Vlora, i konsideruar si “përdhunuesi me tatuazh” në Paleo Faliro, ndihmoi autoritetet në arrestimin e djalit të saj, i arratisur në Shqipëri pas tentativës për përdhunim të një vajze të re dhe përdhunimit të një 38-vjeçareje.
Pas arrestimit të Spartak Dyrmishit, ajo ka folur drejtpërdrejt në emisionin ‘T-live’ të Alpha-s dhe ka treguar saktësisht se çfarë ka ndodhur.
“I thashë motrës sime që jeton në Shqipëri t’ia jepte çelësin e shtëpisë policisë shqiptare. Kur shkuan në shtëpi me një vinç, u përpoqën ta arrestonin, por djali im theu grilën dhe u arratis. Iku! U tha që do vishte rrobat, por i gënjeu. Shkoi në garazhin e një shoku që të fshihej, ndërsa ky i fundit mori policinë dhe kështu e kanë kapur, u shpreh nëna e të arrestuarit.
“Në mëngjesin e asaj nate, pra, më 23 tetor po pyesja djalin se ku ishte dhe ai më rrahu. Më duhej të thërrisja për ndihmë, askush nuk u përgjigj dhe ai më tërhoqi përsëri për të më rrahur. Ai më ka goditur shumë herë. Nuk e dija numrin për të thirrur Policinë”, shtoi nëna e 45-vjeçarit, e cila kërkoi falje publike për djalin e saj.
RRËFIMI I DYRMISHIT
Por pak pas arrestimit është rrëfyer edhe vetë 45-vjeçari shqiptar, i cili akuzohet se ka përdhunuar një 38-vjeçare greke dhe tentoi të abuzonte me një tjetër. Sipas mediave greke, ka dyshime se babai i dy vajzave ka pranuar akuzat, por edhe tentativën e përdhunimit të dy grave në Falironin të Vjetër.
“Droga dhe alkooli më kanë shkatërruar jetën. Isha nën ndikimin e alkoolit kur ndodhi ajo, për të cilën ankohen dy vajzat, gjë që e konfirmoj”, mësohet se u ka thënë ai oficerëve të Policisë së Athinës që po trajtojnë rastin.
45-vjeçari ka shkuar në Gjykatë i veshur me jelek antiplumb dhe duke çaluar lehtë. Ndërkohë, ndaj tij rëndon dhe akuza për dhunë në familje, pasi dyshohet se ka rrahur dhe nënën e tij.
Pak pas orës 02:30 të mëngjesit, kur Policia shqiptare e dorëzoi në zonën e Kakavijës ai udhëtoi me eskortë Policie gjatë gjithë natës për t’u kontrolluar nga autoritetet greke.
Më herët, ai ishte pikasur në një banesë në zonën e Vlorës, ku autoritetet shqiptare po kryenin një operacion për arrestimin e tij.