Plani franko-gjerman është nisma e re e dialogut Kosovë-Serbi.
Kjo është lënë e nënkuptuar nga vizita e diplomatëve të huaj në Kosovë si dhe në Serbi. Mbrëmjen e kaluar presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se Serbia do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pajtohet me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai tha se “de fakto” plani u shndërrua në kuadrin e ri të bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunon për këtë.
Duke i cilësuar bisedimet e së premtes si shumë të vështira ai tha se në rast të refuzimit, për pak ditë do të hiqej regjimi i udhëtimit pa viza dhe do të ndërpriteshin investimet në Serbi. Mediat opozitare në Serbi, kanë zbuluar disa detaje më shumë rreth takimit të Vuçiç me diplomatët e huaj.
Sipas Nova.rs, Vuçiç u ka kërkuar diplomatëve që marrëveshja me Kosovën të implementohet hap pas hapi, por kjo gjë është kundërshtuar kategorikisht nga zyrtarët perëndimor.

